21.8 C
Skopje
E shtunë, 8 Gusht, 2026

Zekolli Shaqiri: Nga nesër 11 linja të reja direkte nga aeroportet e Shkupit dhe Ohrit

Politikat e Qeverisë në fushën e aviacionit po japin rezultate konkrete, më shumë linja, çmime më konkurruese dhe kushte më të mira për udhëtarët, informon POPULLI.mk

Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se duke filluar nga nesër, udhëtarët do të kenë në dispozicion 11 linja të reja direkte nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit dhe ai i Ohrit.

Nëpërmjet një njoftimi publik, Zekolli Shaqiri theksoi se politikat e Qeverisë në sektorin e aviacionit kanë dhënë rezultate konkrete, duke sjellë lidhje të reja ajrore që e vendosin Maqedoninë e Veriut në një pozitë më të favorshme në hartën e transportit rajonal dhe evropian.

“Nga nesër, 11 linja të reja direkte do të jenë në dispozicion drejt Aeroportit të Shkupit dhe atij të Ohrit. Politikat e Qeverisë në fushën e aviacionit kanë dhënë rezultate konkrete. Bazel, Shtutgart, Stokholm, Bari, Larnaka, Gjenevë, Madrid, Pragë, Keln, Budapest, Neapol dhe destinacione të tjera për të cilat tashmë kemi nënshkruar marrëveshje. Rezultatet janë të garantuara – më shumë linja, çmime konkurruese dhe kushte më të mira për udhëtim”, theksoi Zekolli Shaqiri.

Ajo shtoi se zgjerimi i linjave ajrore është pjesë e një strategjie të gjerë për të rritur qasjen turistike dhe ekonomike të vendit, duke mundësuar lëvizje më të lehtë për qytetarët, bizneset dhe vizitorët ndërkombëtarë.

Ky zhvillim vjen në një periudhë kur aeroportet e Shkupit dhe Ohrit kanë regjistruar rritje të ndjeshme të trafikut ajror dhe numrit të udhëtarëve, duke shënuar një trend pozitiv në zhvillimin e infrastrukturës transportuese të vendit. / © POPULLI.mk