Pas shumë vitesh pritjeje, qytetarët që jetojnë në banesa shoqërore më në fund po e bëjnë realitet të drejtën e tyre ligjore për pronësinë, informon POPULLI.mk
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri, ka bërë të ditur se sot ka nisur procesi i nënshkrimit të 40 kontratave të para për blerje-shitje të banesave shoqërore, në përputhje me Ligjin për shitjen e banesave në pronësi shoqërore dhe Ligjin për banim.
“Kjo është vetëm faza e parë e një procesi që do të zgjidhë një problematikë të kahershme që ka prekur qindra qytetarë. Ne, si ministri, po punojmë me përkushtim maksimal për të përmbyllur këtë proces sa më shpejt dhe për t’u siguruar që çdo qytetar të marrë atë që i takon me ligj,” theksoi Zekolli Shaqiri.
Ky hap konsiderohet një arritje e rëndësishme drejt drejtësisë sociale, duke u mundësuar familjeve që prej vitesh jetojnë në këto banesa të bëhen pronarë të ligjshëm të tyre.
Ministria e Transportit pritet të vijojë me procesin në muajt në vijim, duke përshpejtuar legalizimin e pronave për të gjithë përfituesit. / © POPULLI.mk