Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli Shaqiri sot ka qenë në terren për t’i inspektuar punimet në komunën e Bërvenicës, informon POPULLI.mk
Statusi i plotë:
“Ditën e fillova me inspektim të punimeve infrastrukturore në terren në Komunën e Bërvenicës, ku janë përfunduar dy projekte të rëndësishme rrugore dhe një tjetër është drejt përfundimit. Këto projekte janë financuar nga Banka Botërore, si pjesë e investimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë.
Së pari, inspektova progresin e punimeve në rrethinën e fshatit **Çellopek**, ku po kryhet rikonstruimi i unazës me një gjatësi prej 820 metrash dhe një vlerë prej **106,268 euro**. Ky projekt pritet të përfundojë në shtator të vitit 2024 dhe do të ketë një ndikim të madh në përmirësimin e infrastrukturës rrugore në këtë zonë. Gjatë inspektimit, i pranishëm ishte edhe kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jvica Ilievska.
Së dyti, inspektova rrugën **Dubrava**, e cila ka një gjatësi prej 1.223 metrash dhe është përfunduar me sukses. Vlera totale e këtij projekti ishte **125,451 euro**. Rikonstruimi i kësaj rruge ka përmirësuar ndjeshëm lëvizjen dhe sigurinë për banorët e zonës. Punimet infrastrukturore kanë mbaruar, ndërsa pjesa e shenjave të komunikacionit pritet të vendoset shumë shpejt.
Së treti, vizitova rrugën **1 në Radiovcë**, e cila gjithashtu është përfunduar me një gjatësi prej 545 metrash dhe një vlerë projekti prej **190,008 euro**. Ky projekt ka patur një rëndësi të madhe për komunitetin lokal, duke rritur qasjen dhe duke lehtësuar transportin në këtë pjesë të komunës. Edhe këtu, punimet infrastrukturore kanë përfunduar, ndërsa vendosja e shenjave të komunikacionit pritet të realizohet në kohë të shkurtër.
Jam e kënaqur me cilësinë e punimeve të kryera deri më tani dhe mbetem e angazhuar për të siguruar që projekti i fundit të përfundojë brenda afatit të planifikuar, në mënyrë që të gjithë banorët e Komunës së Bërvenicës të përfitojnë nga një infrastrukturë më e mirë dhe më e sigurt.” / © POPULLI.mk




