11.8 C
Skopje
E shtunë, 8 Shkurt, 2025

1 janari kaloi, ku mbeti premtimi për një pikë kufitare mes Kosovës dhe RMV-së ?!

Premtimi për një pikë të vetme kufitare ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, i paralajmëruar muaj më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, duket se po mbetet vetëm në letër, informon POPULLI.mk

Sipas zotimeve të tyre, ky vendim do të hynte në fuqi që nga 1 janari 2025, duke premtuar lehtësimin e qarkullimit për qytetarët dhe reduktimin e pritjeve në kufi.

Megjithatë, realiteti në terren është krejt ndryshe. Edhe pas fillimit të vitit të ri, kolonat e gjata dhe pritjet e zgjatura në pikat kufitare vazhdojnë të jenë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve. Situata ka shkaktuar revoltim të madh, me shumë qytetarë që shprehen të zhgënjyer nga moszbatimi i premtimeve.

“Na thanë që nga janari nuk do të ketë më dy kontrolle dhe se gjithçka do të bëhet më shpejt. Por ja ku jemi, njësoj si vitet e kaluara, duke pritur me orë të tëra. Është e papranueshme!”, tha një qytetar i revoltuar që po priste në kufirin Bllacë – Hani i Elezit.

Nga ana tjetër, institucionet ende nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim të qartë për vonesën në implementimin e këtij projekti të rëndësishëm. Premtimi për një pikë të vetme kufitare shihej si hap konkret për të përmirësuar marrëdhëniet mes dy vendeve dhe për të lehtësuar lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Qytetarët kërkojnë që liderët politikë të mbajnë përgjegjësi dhe të marrin masa urgjente për t’i dhënë fund kësaj situate të papranueshme, që jo vetëm dëmton qarkullimin, por edhe rrit frustrimin e popullatës në të dy anët e kufirit. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit