Dëshmitari i parë i Prokurorisë në rastin “Lotaria”, Vlado Petkovski, drejtor sektori në “Lotaria Shtetërore”, dha dëshmi që ishte në favor të të akuzuarve Artan Grubi dhe Perparim Bajrami. Për shkak të dallimeve të mëdha me deklaratën e tij gjatë hetimeve, kur fillimisht ishte marrë në pyetje si i dyshuar, prokurorët kërkuan që ai të shpallet “dëshmitar armiqësor”, në mënyrë që ta marrin në pyetje në mënyrë të kryqëzuar.
Petkovski mbrojti punën e ish-drejtorit Bajrami, duke thënë se ai, ndryshe nga drejtuesit e mëparshëm, kishte iniciuar projekte për rritjen e fitimit të Lotarisë Shtetërore, përfshirë “Novo VLT”, platformën “Megawin.mk” dhe blerjen e terminaleve elektronike në vitin 2023.
Sipas dëshmitarit, synimi ishte që fitimi të mbetej në kompaninë shtetërore, ndërsa proceset u bllokuan pas miratimit të interpretimit autentik të Ligjit për lojërat e fatit.
Petkovski tha gjithashtu se nuk ka njohuri të drejtpërdrejta për ndonjë miqësi apo ndikim mes Bajramit dhe Grubit.
Rasti lidhet me veprime gjatë viteve 2023–2024, për të cilat Prokuroria pretendon se Lotarisë Shtetërore i është shkaktuar dëm prej 9.7 milionë eurosh. Vepra fillestare, “Përvetësim”, gjatë hetimit u rikualifikua në “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”.
Përveç Grubit dhe Bajramit, në këtë rast janë të akuzuar edhe gjashtë persona të tjerë. Gjyqi vazhdon.




