5.8 C
Skopje
E enjte, 5 Dhjetor, 2024

9 ish diplomatë e ushtarë të NATO-s do të dëshmojnë pro Thaçit!

Nëntë dëshmitarë ndërkombëtarë pritet të dëshmojnë pro ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale.

Këtë e ka bërë të ditur me anë të një parashtrese vet avokati i Thaçit, Gregory Keohe, shkruan lajmi.net.

Keohe ka thënë se të gjithë këta dëshmitarë janë në moshë të shtyer, andaj ka kërkuar nga Gjyqtari Paraprak që të marrë masa për marrjen në pyetje të tyre qysh tani, dhe depozitimin e dëshmive të tyre.

“Në bazë të Rregullës 99, Mbrojtja e z. Hashim Thaçi (njofton për qëllimin e saj për të kërkuar që Gjyqtari Paraprak të marrë “masat e nevojshme” për të “marrë”, “shqyrtuar” dhe “testuar” dëshmitë nga 9 dëshmitarët ndërkombëtarë, provat e të cilëve janë vendimtare për çështjen e mbrojtjes dhe “mund të mos jenë të disponueshme më pas në gjyq”, ka thënë Keohe në parashtresën që e ka parë lajmi.net.

“Këta 9 dëshmitarë janë në moshë të shtyrë – nga 77 deri në 88 vjeç dhe me shkallë të ndryshme shëndetësore. Rrjedhimisht, ekziston një rrezik shumë real që provat e tyre “mund të mos jenë të disponueshme më pas në gjykim”, ose të paktën deri në momentin që Prokuroria të mbyllë çështjen e saj dhe fillon çështja e mbrojtjes. Prandaj, në bazë të Rregullës 99, ekziston nevoja për një mundësi unike hetimore (të ngjashme me një depozitë) siç përcaktohet më poshtë për secilin prej këtyre 9 dëshmitarëve, për të siguruar ruajtjen e provave të tyre përpara se të fillojë gjykimi”, ka treguar tutje Keohe.

Avokati amerikan ka thënë se të gjithë këta dëshmitarë, kanë qenë figura të rëndësishme në kohën e luftës dhe pas saj, përfshirë diplomatë ndërkombëtarë, figura ushtarake që kanë shërbyer në NATO, OSBE, OKB, UNMIK.

“Këta 9 dëshmitarë ndërkombëtarë, ishin të gjithë, në periudhën e aktakuzës, diplomatë të lartë ndërkombëtarë, administratorë dhe figura ushtarake që shërbenin në pozita të larta në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO); Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE); Kombet e Bashkuara (OKB); Administrata e Përkohshme e OKB-së në Kosovë (UNMIK); Misioni Monitorues i Kosovës (MVK); Misioni Vëzhgues Diplomatik i Kosovës (MKDK); dhe një zyrtar i lartë qeveritar nga një vend fqinj me Kosovën. Ata knëa bashkëvepruar ngushtë me z. Thaçi, si në nivel profesional ashtu edhe në disa raste edhe personal”, ka thënë Keohe në parashtresën e tij.

Keohe ka thënë se këta dëshmitarë do të përshkruajnë kontaktet që kanë pasur me Thaçin, pastaj ndërveprimet e tyre me të, sjelljen e ish-presidentit gjatë kohës së luftës dhe detaje tjera shumë të rëndësishme për mbrojtjen.

“Secili nga këta 9 dëshmitarë ka pasur kontakte personale me z. Thaçi, duke punuar me të dhe aktorë të tjerë të mëdhenj, vendorë dhe ndërkombëtarë, për çështjet kryesore me të cilat ballafaqoheshin të gjithë gjatë kësaj kohe. Ata do të japin vëzhgimet e tyre për z. Thaçi dhe do të përshkruajnë ndërveprimet e tyre me të, duke përfshirë sjelljen, qëndrimet dhe sjelljen e tij gjatë periudhës së aktakuzës që janë relevante për akuzat kundër tij. Si të tilla, dëshmitë e tyre, të ardhura nga përvoja e viteve në konflikt dhe mjedise pas konfliktit, do t’i ofrojnë Trupit Gjykues një vështrim unik dhe të vlefshëm për ngjarjet dhe personat aq vendimtarë për të kuptuar konfliktin në Kosovë dhe krimet e ngarkuara në aktakuzë. Dëshmia e tyre e drejtpërdrejtë, siç është testuar rigorozisht përmes marrjes në pyetje dhe pyetjeve nga trupi gjykues, do ta ndihmojë shumë trupin gjykues në gjetjen e së vërtetës së asaj që ka ndodhur dhe përfundimisht në vlerësimin e fajësisë apo pafajësisë së z. Thaçi”, thuhet në parashtresën e Keohes.

Keohe ka thënë se dëshmitarët në fjalë do të thirreshin në një fazë tjetër të procedurës, kur Prokuroria ta përfundonte çështjen e saj, mirëpo që për shkak të moshës së shtyer, ai ka kërkuar që qysh tani ata të merren në pyetje nga tre anëtarë të Trupit Gjykues.

Të ngjajshme

Të fundit