Një raport i publikuar nga Qeveria somaleze thotë se një numër më i madh i fëmijëve kanë vdekur vitin e kaluar në këtë shtete si pasojë e thatësirës, në krahasim me vitet e mëparshme.
Sipas të dhënave qeveritare, më shumë se 43 mijë vdekje janë shënuar vetëm në vitin 2022 në Somali, si pasojë e thatësirës së madhe, ndonëse ajo ishte e njëjtë me ato të vitit 2017 dhe 2018.
Gjysma e vdekjeve raportohet se janë fëmijë të moshës nën 5 vjeç. Të dhënat qeveritare parashohin po ashtu se vetëm në gjashtë muajt e parë të këtij viti, vendi do të preket nga 34 mijë vdekje të tjera që do të jenë pasojë e thatësirës.
Raporti i publikuar të hënën nga Ministria somaleze e Shëndetësisë bashkë me UNICEF-in dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, është përpiluar nga hulumtuesit në Shkollën londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, dhe Kolegji Imperial i Londrës.
Niveli më i lartë i vdekjeve është regjistruar në rajonet e Somalisë jug-qendrore.