Sot do të vendoset gur-themeli i Korridorit 8 në Tetovë, nga ku fillon edhe aksi i parë i kësaj autostrade që të çon deri në Gostivar dhe në total është i gjatë 17.5 kilometra, shkruan Portalb.mk.
“Së pari do të kemi ndërtimin e një rrugë ndihmëse, paralele që komunikacioni do të hidhet në atë rrugë dhe pastaj do të fillojë zgjerimi dhe ndërtimi i autostradës me parametra evropianë. Ajo rrugë do të jetë, ja si mund ta tregojmë, nga autostrada momentale dhe hekurudha në mes të këtyre dyjave që do të hidhet komunikacioni në atë rrugë dhe pastaj do të nisë zgjerimi dhe ndërtimi i rrugës Tetovë-Gostivar”, tha më 25 mars, Ejup Rustemi, drejtor N.P. “Rrugët Shtetërore”.
Aksi i dytë Gostivar-Kërçovë i gjatë 30,3 kilometra dhe njëherit një nga terrenet më të vështira për ndërtim, por Rustemi u shpreh se sipas analizave të kompanisë “Bechtel & Enka”, nuk pritet që këtu të dalë ndonjë e papritur.
Sa i përket pjesës nga Struga në Qafë Thanë, Rustemi zbuloi se në takimin e fundit me drejtorin e Rrugëve të Shqipërisë është shqyrtuar mundësia për një shkurtim rruge.
“Rruga nga Tirana deri në kufi do të jetë diku 73 kilometra dhe pastaj nga pika e re, që mund të jetë pikë e përbashkët kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, deri në Strugë mund të ketë 12 kilometra. Do të thotë nga Struga deri në Tiranë do të kemi lidhje autostradash prej 82 kilometrash.
Tenderin për mbikëqyrjen e punimeve në Korridoret 8 dhe 10-D e fitoi grupi i kompanive “IRD Inxhiniering”, “Elektrasollushëns”, Evrokonsallting” dhe “EPTISA”. Tri nga katër firmat pjesëmarrësve kontestohen për të paktën një çështje ose cenohet besueshmëria e tyre.
Më 8 mars u nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka. Projekti do të kushtojë 1.3 miliardë euro ose 12 milionë euro për kilometër, i cili duhet të shtrihet nga Tetova deri në Qafathanë. Gjithë korridori 8 së bashku me atë 10D në tërësi janë 110 kilometra autostradë, që pritet të përfundojë më 31 dhjetor 2027, pra për 4 vite e 7 muaj.
