Respektohet në ujërat e çdo kontinenti, sepse cilësohet si anija më e bukur në botë. Anija-shkollë me vela e forcave detare italiane, pothuajse shekullorja Amerigo Vespucci, sot ka vizituar edhe brigjet shqiptare, duke u ndalur për disa ditë në portin e Durrësit.
Anija do të mbetet në Shqipëri deri më 19 tetor, në kuadër të veprimtarisë së rëndësishme të “diplomacisë detare” të promovuar nga ministria e mbrojtjes italiane.
E ndërtuar në vitin 1931 në kantieret e Castellammare di Stabia, Amerigo Vespucci është një anije me vela e cila është e pajisur me sisteme moderne, ku në pothuajse një shekull ka edukuar breza të tërë oficerësh, duke realizuar më shumë se 70 fushata edukimi nëpër botë, nga Karaibet deri në Rrethin Arktik.