8.8 C
Skopje
E diel, 5 Prill, 2026

Grupi punues për reforma zgjedhore këtë javë fillon me punë, VMRO kërkon një njësi zgjedhore!

Ministria e Drejtësisë do t’i rikthehet edhe njëherë përpjekjeve për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe për të zbatuar rekomandimet që vijnë nga organizatat ndërkombëtare. Në drejtim të kësaj, më 3 maj pritet të mbahet seanca konstituive e grupit të punës për reforma zgjedhore, të formuar nga Ministria e Drejtësisë. Kodin e ri Zgjedhor, që duhet të miratohet pak muaj para zgjedhjeve të rregullta të cilat do të mbahen në vitin që vjen. Por, mesa duket ndryshimet në Kodin Zgjedhor kanë mbetur nën hijen e harresës, sepse ka vite që diskutohet por asesi të implementohen. Me propozim ligjin për ndryshim të Kodit Zgjedhor, propozohet që Maqedonia e Veriut të jetë një njësi zgjedhore, të mbetet model proporcional dhe pa prag zgjedhor. Llogaritja për zgjedhje të deputetëve të realizohet sipas sistemit të Dontit. Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ka 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020. Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar, shkruan Zhurnal.

Të mërkurën zyrtarisht fillon me punë grupi punës për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Të mërkurën, do të mbahet mbledhja konstituive e grupit të punës për reforma zgjedhore i formuar nga Ministria e Drejtësisë, që duhet t`i implementojë rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, kurse njëkohësisht duhet të punojë për Kodin e ri Zgjedhor.

Pjesë e grupit punues për reformat zgjedhore janë përfaqësues të partive politike nga LSDM-ja, BDI-ja, ASh-ja, BESA, Alternativa, E Majta dhe Lidhja Demokratike, kurse për momentin mungon përfaqësuesi i VMRO-DPMNE-së. Si dhe, do të ketë përfaqësues të organizatave joqeveritare, sindikatave, ministrive dhe organeve kompetente për zbatimin e procesit zgjedhor. Kryesues i grupit punues do të jetë Aleksandar Novakovski, ekspert dhe ish-kryetar i KShZ-së.

Novakovski, thotë se kodi duhet të shqyrtohet pjesë pas pjese por përparësi do të kenë rekomandimet e OSBE-së të cilat janë zvarritur nga njëri cikël zgjedhor në tjetrin.

“Në disa cikle të kaluara zgjedhore përsëritet vërejtja për barazinë e të drejtës së votës, e dyta është si të thjeshtëzohet Kodi zgjedhor sepse ai ka pësuar aq ndryshime sa që është bërë I vështirë për t’u kuptuar sepse shumë çështje vetëm janë futur në të dhe kjo sjell deri te interpretimet e ndryshme”, tha Aleksandar Novakovski, drejtues i grupit të punës për Kodin zgjedhor.

Ai thotë gjithashtu se do të hapet tema e modelit zgjedhor por vendimi final është i partive politike. Ai shpreson se disa çështje do të arrijnë të përfundohen përpara zgjedhjeve të vitit të ardhshëm.

Mickovski: BDI dhe ASH le të dalin të pranojnë një njësi zgjedhore –

VMRO-DPMNE-ja përfundimisht nuk do të ketë përfaqësues në grupin e punës për Kodin zgjedhor por kreu i kësaj partie thotë se do të mbështesin ndryshimet eventuale për formimin e një njësie zgjedhore.

““Në njësinë e katërt zgjedhet një deputet me 7 deri në 7,5 mijë vota, në të gjashtën me 5 deri në 5,5 mijë vota, atëherë për ta hequr atë duhet të kemi një njësi zgjedhore dhe çdo deputet që do të zgjidhet në Maqedoni. Kuvendi do të zgjidhet me numër të barabartë votash. Unë apeloj deri te partia në pushteti BDI dhe te partneri i koalicionit Aleanca për Shqiptarët dhe mendoj se sido që të vendosin ata, ashtu do të pajtohet edhe partneri më i vogël LSDM, të dalin para opinionit dhe ta pranojnë këtë vendim për një njësi zgjedhore. Vërtetë s’ka nevojë për nacionalizëm, s’ka nevojë për irredentizëm. Secili qytetar është i barabartë para Kushtetutës, edhe ata që votojnë në Tetovë dhe në Gostivar duhet të jenë të barabartë si ata që votojnë në Strumicë, në Vasilevë, në Novo Sellë, e kështu me radhë. Prandaj qeveria duhet ta pranojë dhe ne si VMRO DPMNE jemi të gatshëm ta përkrahim në Kuvend dhe të shkojmë në zgjedhje”, u shpreh Hristijan Mickovski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Cili model zgjedhor është më i mirë për Maqedoninë e Veriut?

Aktualisht, në Maqedoninë e Veriut ka 120 deputetë zgjidhen sipas modelit të pastër proporcional në 6 njësi zgjedhore, i cili zbatohet nga viti 2002 deri në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2020. Të gjitha tentimet për ndryshimin e këtij modeli kanë dështuar. Por, si përfundim modeli më i mirë dhe më i përshtatshëm për vendin është ai me gjashtë njësi zgjedhore, ndryshimet në Kodin Zgjedhor duhet të jenë në drejtim të hapjes së listave, që kjo ndikon dukshëm në rritjen e cilësisë së përfaqësuesve në Kuvend.

Modeli me një njësi zgjedhor mes tjerash është i dëmshëm posaçërisht për shqiptarët, sepse ndikon dukshëm në defaktorizimin e shqiptarëve në vend, duke ulur numrin e përfaqësuesve shqiptarë në Kuvend. Përmes modelit me një njësi zgjedhore pragu për fitim të mandatit të deputetit do të jetë shumë më i lartë, për dallim prej modelit me më shumë njësi zgjedhore kur për mundësinë e fitimit të mandatit të deputetit merret në llogaritje numri i votuesve vetëm në zonën e caktuar, dhe jo numri i votuesve në nivel republikan ashtu siç parashihet me modelin e ri me një njësi zgjedhore.

Votuesit shqiptarë janë të përqendruar kryesisht në tri nga gjashtë njësi zgjedhore, në njësinë 2, 6 dhe 5. Që përfshijnë rajonet e populluara më shumë me shqiptarë si Tetova, Gostivari, Struga, Kumanova, Likova, një pjesë e Shkupit etj. Prandaj, me këtë model aktual me gjashtë njësi zgjedhore shqiptarët përfaqësohen në mënyrë të barabartë në Kuvend, në të kundërtën me një njësi zgjedhore gjasat maksimale janë që të reduktohet numri i deputetëve shqiptarë në Kuvend. Prandaj, është e natyrës që gjitha partitë shqiptare të bashkohen dhe të jenë kundër ndryshimit të modelit dhe kalimin në atë me një njësi zgjedhore. Ndryshimet duhet të ndodhin në hapjen e listave, respektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, si dhe rritjen e transparencës në zgjedhje që është vlerë demokratike. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit