12.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Koncept i ri në arsim, a duhet t’i lexojnë këto tekste edhe politikanët maqedonas?

Tekstet shkollore jo çdoherë janë tekste mësimore. Librat të cilat në brendësi kanë një mal gabimesh, drejtshkrimore, teknike, e përmbajtësore. Në fakt ajo që lexohet e mësohet është deformim dhe informim i pasaktë si pasojë e gabimeve të shumta. Kjo situatë duhet të jetë shqetësuese dhe alarmante për institucionet përgjegjëse, e jo pastaj të nxjerrin “lot krokodili” që cilësia në shkolla e Universitet qenka në nivel të ulët. Gjithçka fillon nga arsimi fillor, nëse këtu ka hapësirë për deformim të mësimit e njëjta do të vazhdojë edhe në shkallët tjera, vetëm se ndryshojnë mësimet ndërkaq mënyra e gabuar mbetet po e njëjta. Megjithatë, përpos vërejtjeve të shumta sëfundmi janë ngritur edhe shqetësime si nga ana e prindërve ngjashëm edhe nxënësve e mësimdhënësve që në tekstet shkollore në gjuhën shqipe në lëndë të ndryshme në shembujt e paraqitur merren emrat maqedonas si Jovan, Ivan, Luka, e Ivanka. E për këtë çështje ka reaguar edhe ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, i cili tha se kemi të bëjmë me koncept të ri të arsimit në vend. E ky koncept sigurisht që i shërben shoqërisë multi-etnike dhe krijimit të një shteti multi-etnik, por më shumë se nxënësit për këto tekste kanë nevojë politikanët, sidomos ata maqedonas për të cilët shqiptarët janë therrë në sy. E po këta nxënës shqiptarë që lexojnë emrat Jovan e të tjera ditën në tekste, në mbrëmje dëgjojnë deklarata të Mickovskit e Apasievit duke nxjerrë vrerë ndaj shqiptarëve. Nga ana tjetër, për Petar Bogojevski, pengesa e emrave maqedonas në tekstet e nxënësve ndërlidhet me aspektin fetar, shkruan Zhurnal.

Cili është koncept i ri në arsim dhe a kanë nevojë politikanët për këtë koncept?

Emrat Ivani, Jovani, Luka dhe Jovanka do të vazhdojnë të shërbejnë si shembuj në librat shkollor për vitin e ardhshëm shkollor. Ministri i Arsimit, Jeton Shaqiri, është proncuar mbi këtë temë duke thënë se edhe në librat në gjuhën maqedonase ka shembuj me emra shqip, por edhe të nacionaliteteve të tjera. Sipas, Shaqirit ky është koncepti i arsimit në Maqedoninë e Veriut.

“Njësoj siç është Ivani dhe Igori në tekstet e gjuhës shqipe është Arbeni, Yllëza, Shkronjëza në tekstet e gjuhës maqedonase. Edhe vetë mund t’i verifikoni në matematikë, unë vetë i kam verifikuar kur u ngrit shqetësimi. Te të gjithë librat elektronik unë vetë i kam verifikuar, ka mbi 10 faqe që kam gjet vet unë. Apeloj edhe tek ju, të shihni se dhe në librat e faqeve maqedonase merren si shembuj nxënësit shqiptarë, nëse do ishte vetëm në librat shqip Ivani edhe nuk do të ishte Gazmendi patjetër që do të kërkojë korrigjim, por është çështje e re e ndërtimit të librave, ka edhe emra të nacionalitetit turk dhe të tjerë që janë vendosur si raste”, ka përfunduar, Jeton Shaqiri, ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Pra, nga kjo kuptohet që kemi të bëjmë me hartim e zbatim të një koncepti të ri në praktikë për tekstet shkollore, në mënyrë që nxënësit të adaptohen me emrat e bashkëqytetarëve të tyre. Parimisht, kjo gjë i shërben ndërtimit të shtetit multi-etnik, si dhe lehtësimit e bashkëpunimit ndërmjet shoqërive të etniteteve të ndryshme në vend.

Nga ana tjetër, po këta nxënës që gjatë ditës në librat shkollor lexojnë emrat e bashkëqytetarëve të tyre maqedonas, Jovan e Luka, në mbrëmje dëgjojnë në lajme se po këta bashkëqytetarë mbase me emra të tjerë si Mickovski e Apasiev duke nxjerr vrerë ndaj shqiptarëve, duke kërkuar qeveri pa shqiptarët e të tjera.

Prandaj, qëllimi i konceptit të ri në arsim është mjaft i duhur, por siduket nuk janë fëmijët ata që krijojnë urrejtje e paragjykime ndërmjet tyre, por janë pikërisht politikanët do të thotë politika që krijon ndarje etnike mes qytetarëve, e krejt kjo për të fituar një grusht vota në kurriz të “nacionalizmit”.

Petar Bogojevski, nga “Maqedonia Koncept” shkon një hap më tutje duke nxjerr në pah islamofobinë dhe albanofobinë, që sipas tij emrat maqedonas në librat shkollorë u pengojnë shqiptarëve vetëm përshkak të bindjeve fetare.

“Shovinistëve etnikë shqiptarë po ju pengojnë emra të krishterë/jomuslimanë, të përmendur në tekstet shkollore në Maqedoni. Kjo do të thotë se etnik merr elemente të shovinizmit fetar, i cili është një faktor shtesë i destabilizimit në Ballkan. Fjalë për fjalë, shovinistët etnikë dhe fetarë shqiptarë po punojnë fort për përplasje të reja mbi të njëjtat baza, për të penguar hyrjen e rajonit në BE dhe për të destabilizuar NATO-n”, ka shkruar Bogojevski në profilin e tij në facebook.

Nga kjo kuptohet që Bogojevski bashkë me shumë maqedonas të tjerë kanë nevojë imediate për të ndjekur trajnime për të shëruar albanofobinë, e pse jo të lexojnë edhe emrat shqiptarë në tekstet shkollore në mënyrë që të rikthehen filloristë e të adaptohen e të pranojë faktin e pakontestueshëm që shqiptarët janë bashkëqytetarë, bashkëthemelues të këtij shteti.

Kujtojmë që, gabimet në tekstet shkollore kanë nisur të shfaqen që në vitin 2017 kur në librin e Gjeografisë për klasën e shtatë të shkollës fillore, nxënësit mësonin se Kosova është pjesë e Serbisë, ndërsa në një ilustrim të atlasit të Gjeografisë, poshtë flamurit të Kosovës, qëndronte emri i Greqisë.

Në tekstin e Historisë për arsimin fillor, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut paraqiteshin si “dhunues që ishin vendosur këtu në shekullin e XVIII, pasi kanë dëbuar maqedonasit nga tokat e tyre”, sipas autorëve të tekstit. Këto përmbajtje janë evituar pas reagimeve të shumta në opinion përmes një ligji për botimin e teksteve të reja. Por, me evitimin e këtyre gabimeve çështja me librat shkollorë nuk është përmbyllur në tërësi, sepse dita ditës shfaqen probleme të reja e të ndryshme. /Zhurnal.mk

Të ngjajshme

Të fundit