5.8 C
Skopje
E shtunë, 14 Mars, 2026

Anija “Lumturia” shndërrohet në “shtëpi” për të pastrehët

Ajo që dikur u vendos në kuadër të projektit “Shkupit 2014”,  për t’i dhënë një pamje më të bukur kryeqytetit, sot po luan rol krejtësisht tjetër. Një nga anijet e vendosura në lumin Vardar e quajtur “ Lumturia”, nuk përcjell aspak një ndjenjë të tillë.  Aty ka mbetur vetëm struktura, që i ngjan një anije të braktisur nga ekuipazhi i saj.

“Një nga anijet e vendosura në lumin Vardar, konkretisht ajo që ndodhet pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe për largimin e të cilës u hap edhe lëndë gjyqësore, largimi i saj ka mbetur pezull. Ky objekt, i cili tashmë është shkatërruar  dhe është në gjendje katastrofale, siç mund ta shikoni edhe nga pamjet është shndërruar në vendstrehim për të pastrehët”, raporton Evi Shkopi, gazetare.

Duke mos pasur vend tjetër një familje  katër anëtarëshe kishte bërë këtë anije “shtëpi” të tyre, pasi thanë se nuk kishin vend tjetër se ku të qëndrojnë.

Qytetarët thonë se gjendja në të cilën ka mbetur kjo anije është për keqardhje. Sipas tyre është një pamje e pakëndshme edhe për banorët e kryeqytetit, por edhe për turistët.

“Nuk duhet të ketë objekt të tillë këtu. Nuk është i bukur për ta shikuar. Unë mendoj se turistët kur do të shohin këtë do të habiten. Së pari për në që banojmë këtu në Maqedoninë e Veriut nuk është pamje e bukur”, u shpreh një qytetar.

“Nuk është pamja më e mirë, por nuk e di çfarë kontesti ka pas kësaj. Pamja estetike e saj nuk është më e mira e mundshme, në mes te qytetit. Nuk është diçka brilante”, tha një turiste.

“Fillimisht është e rrezikshme që kjo është vendosur këtu, sepse ndonjëherë mund të ketë sasi të shtuar të ujit në Vardar dhe të shkaktojë dëme. Megjithatë, meqë e kanë bërë është për keqardhje të jetë në këtë gjendje.Kjo duhet të largohet urgjentisht, s’ka kthim mbrapa”, deklaroi një qytetar.

Nga Qyteti i Shkupit nuk përgjigjen në pyetjet tona, qëllimi i te cilave ishte sqarim i opinionit rreth fatit të kësaj anije, nëse e njëjta do të mbesë në këtë gjendje në atë lokacion apo do ta largojnë që aty. Kontratat për shfrytëzimin e anijeve që Qyteti i Shkupit ka nënshkruar më kompani të caktuara skadojnë në vitin 2035, në rast të prishjes së njëanshme të këtyre kontratave, Qyteti duhet të paguajë dëmshpërblim prej rreth 6 milion eurosh.  Studimi i UNDP-së rreth ndikimit të këtyre anijeve në rrjedhën e lumit, të realizuara së bashku me Qytetin e Shkupit dhe Qendrën për Menaxhim me Kriza tregon se që nga vendosja e anijeve rrjedha e lumit Vardar është zvogëluar për 1/3.  Anijet në Vardar janë pjesë e projektit “Shkupi 2014” të realizuar gjatë qeverisjes në VMRO-DPMNE-së.

Të ngjajshme

Të fundit