Pekini ka kundërshtuar fuqimisht cilësimin e Kinës nga udhëheqësit e Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) si një “sfidë sistemike” ndaj sigurisë euro-atlantike, në samitin dyditor të aleancës në kryeqytetin lituan Vilnius.
Një zëdhënës i Misionit Kinez në Bashkimin Evropian (BE) i bëri komentet të martën, pas komunikatës së përbashkët të samitit të NATO-s të publikuar po atë ditë, që pretendon gjithashtu se “ambiciet e deklaruara dhe politikat detyruese të Kinës sfidojnë interesat, sigurinë dhe vlerat tona.”
“Përmbajtja e lidhur me Kinën në komunikatë shpërfill faktet bazë, shtrembëron pozicionin e politikat e Kinës dhe përbalt me qëllim Kinën,” theksoi zëdhënësi në një deklaratë të publikuar në uebsajtin e misionit.
“Kina do të mbrojë me forcë sovranitetin, sigurinë dhe interesat e saj të zhvillimit dhe do të kundërshtojë vendosmërisht lëvizjen e NATO-s drejt lindjes, në rajonin e Azi-Paqësorit,” shtoi ai.
