13.8 C
Skopje
E premte, 27 Mars, 2026

Rama përshëndeti “megaoperacionin” kundër lëndëve narkotike

Kryeministri Edi Rama ka përshëndetur megaoperacionin e Policisë kundër lëndëve narkotike, që çoi në arrestimin e 233 personave. Në një postim në Facebook, Rama shkruan se me shkatërrimin e 23 rrjeteve kriminale është neutralizuar një burim i rrezikshëm për shëndetin e të rinjve. Operacionin, kreu i qeverisë e konsideron si provë të ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.

“Superoperacioni i Policisë së Shtetit u ka hedhur prangat gjatë gjithë natës së mbrëmshme dhe deri në orët e para të mëngjesit 233 shpërndarësve të drogës, të cilët kishin në shënjestër të veprimtarisë së tyre kriminale nxënësit e shkollave. Pas një hetimi të imtësishëm e mbledhjeje të provave në të gjitha qarqet e vendit janë shkatërruar 23 rrjete kriminale dhe është neutralizuar një burim i rrezikshëm dëmi për shëndetin e më të rinjve, ndërkohë që kjo është një tjetër provë e ngritjes së luftës kundër krimit të organizuar në një nivel të ri.

Një duartrokitje e fortë për Policinë e Shtetit, e cila dita-ditës po rrit forcën goditëse ndaj keqbërësve të çdo lloji dhe po afirmon fuqinë e saj si garante e rendit, sigurisë e qetësisë publike në çdo komunitet”, shkruan Rama.

Megaoperacioni i Policisë u shtri në të gjithë territorin e vendit, ndërsa grupet kriminale që u shkatërruan në Tiranë, Elbasan, Durrës, Korçë dhe Vlorë. Kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrrumbullaku bëri me dije se janë ushtruar kontrolle në 356 banesa, ndërsa janë shpallur në kërkim 82 persona.

Të ngjajshme

Të fundit