Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe mbreti i Jordanisë, Abdullah II, kanë rënë dakord se është e rëndësisë kritike të sigurohet që palestinezët të mos largohen me forcë nga Gaza, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga Shtëpia e Bardhë, Biden zhvilloi një bisedë telefonike me mbretin Abdullah II.
Në bisedë palët ranë dakord se është e rëndësisë kritike të sigurohet që palestinezët të mos largohen me forcë nga Gaza.
Dy liderët diskutuan zhvillimet e fundit në Gaza, si dhe përcollën angazhimet e tyre për rritjen e ndihmave humanitare ndaj civilëve në Gaza dhe rifillimin e shërbimeve bazë.
Biden tha se duhet të mbrohen civilët dhe duhet të respektohet ligji humanitar ndërkombëtar “teksa Izraeli vazhdon luftën kundër terrorizmit duke mbrojtur qytetarët e tij”.
Duke falënderuar mbretin Abdullah II për “rolin e tij që mbështet stabilitetin rajonal”, Biden përsëriti mbështetjen e tij për Jordaninë të cilën e cilësoi si një aleate kritike.
