16.8 C
Skopje
E hënë, 4 Maj, 2026

Dezinformatat, “goditje” për euro-integrime

“Në këtë periudhë të ndjeshme për Maqedoninë e Veriut, procesi i negociatave me Bashkimin Evropian po ballafaqohet me sfida të mëdha, ku si sfidë kryesore janë ndryshimet kushtetuese që kërkojnë përfshierjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e vendit. Megjithatë, kjo nuk është vetëm një sfidë politike, por edhe një fushë ku dezinformatat po krijojnë tensione dhe dyshime”

“Sofja është ajo që dëshiron të na izolojë dhe me dhunë ta ndajë Maqedoninë nga bota”, “Histori e përbashkët deri në shtet të përbashkët”, “Bullgaria dëshiron të fshijë gjithçka që është maqedonase në nivel planetar” Këto janë disa prej titujve të mediave online në vend, ku jepet hapësirë për të paraqitur ndryshimet kushtetuese të cilat përfundimisht hapin dyertë e vendit drejt BE-së, si shkatërues të identitetit maqedonas.

Edhe përkundër faktit që disa herë zyrtarët evropian si Von der Leyen dhe Borell zëshëm kanë thënë se me futjen e bullgarëve në Kushtetutë nuk do të cenohet gjuha dhe identiteti maqedonas. Qëllimi I këtyre dezinformatave sipas ekspertëve mediatik është të ndryshojnë orientimin strategjik të vendit drejtë Lindjes.

“Të gjitha këto janë floskula të cilat kanë për qëllim që ta heqin Maqedoninë prej rrugës drejt Perendimit apo prej rrugës drejt strukturave euro-atlantike. Një pjesë e këtyre dezinformatave vijnë prej strukturave politike të cilat haptas deklarojnë që janë kundër sturkturave të BE-së dhe NATO-s.Një pjesë janë përkrahës të haptë edhe të Rusisë, edhe të agresionit rus në Ukrainë. Për fat të keq kjo propagandë është aq e fuqishme sa që ndikon në percepcionet e popullatës dhe në percepcionet që kjo ia jep BE-së”, u shpreh Petrit Saraçini nga IMA.

Lufta ndaj dezinformatave është një ndër prioritetet e Këshillit për Etikë të Mediave, i cili është organ për vetrregullimin e mediave. Nga këtu informojnë se shumica e ankesave që vijnë në Këshill kanë të bëjnë me dezinformata. Konfirmojnë se kanë detektuar edhe dezinfomata që në mënyrë të drejtëpërejtë apo indirekte ndikojnë në rritjen e euro-skepticizmit.

“80% të vendimeve të cilat janë sjellur nga Komisioni I Ankesave, kanë të bëjnë me shkeljen e nenit të parë të kodit të gazetarëve, që do të thotë jo-objektivitet dhe jo-saktësi në informacioneve, aty nuk është marrë në konsiderate pala e dytë që do të thotë len çdoherë hapësirë për një informacion që mund të jetë dezinformatë. Nuk kemi kompetenca ligjore, por gjithsesi vendimet e Këshillit për Etikë në media janë një udhërrëfyes dhe një document I cili merret parasysh edhe nëse duhet të hapet ndonjë process gjyqsor më tutje”, theksoi kryetarja e këshillit të etikës, Leunora Kaliqi.

Shpërndarja e dezinformatave nën “llupën” edhe të BE-së. Sipas raportit të fundit të KE-së për vendin është notuar nevoja për rritjen e masave ndaj dezinformatave.

“Vitin e ardhshëm, vendi duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të mbyllur hapësirën e ndërhyrjeve të huaja dhe manipulimit të informacionit, duke përfshirë dezinformimin, dhe të ndërmarrë veprime për të krijuar rezistencë sociale ndaj tyre”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.

Nga qeveria thonë se çdo ditë punojnë në ballafaqimin me dezinformatat përmes rritjes së transparencës së institucioneve publike dhe krijimit të ambientit për lirinë e shprehjes, në të cilën fella e gazetarisë do të vetërregullojë mënyrën e funksionimit të mediave.

“Qeveria aktualisht është duke punuar në Strategjinë e dytë Kombëtare për Transparencë dhe ne avokojmë fuqishëm për transparencë dhe llogaridhënie më të madhe të të gjitha institucioneve nën Qeverinë. Qeveria vazhdimisht udhëzon ministritë dhe institucionet e tjera të rrisin transparencën e tyre. Krahas kësaj, Qeveria merr pjesë në iniciativën e shumicës së organizatave civile dhe mediatike për të krijuar një qasje dhe strategji të përbashkët në trajtimin e dezinformimit.”.

“Informacionet tona, si gazetarë, janë thelbi i një shoqërie të mirë-informuar. Në kohë kur dezinformatat sfidojnë të vërtetën, roli ynë është i rëndësishëm për shpërndarjen e informacionit të saktë. Le të vazhdojmë së bashku, duke promovuar transparencën dhe kritikën e shëndetshme në mediat tona.”

Të ngjajshme

Të fundit