20.8 C
Skopje
E enjte, 19 Shtator, 2024

Osmani garanton: Po i humbën zgjedhjet edhe për 1 votë, nuk do të bëhemi pjesë e qeverisë

Nënkryetari i BDI-së Bujar Osmani, në Click Plus siguroi se nëse BDI humbë zgjedhjet qoftë edhe me vetëm një votë dallim, nuk do t’i përfaqësojë shqiptarët në Qeveri. Sipas tij, qytetarët shqiptarë janë ata që vendosin se cila parti politike duhet t’i përfaqësojë.

“BDI po e pati një votë më pak se një parti politike tjetër, prej sot po ua nënshkruaj në emër të BDI-së, në emër të Ali Ahmetit, si zëdhënës i tij, si nënkryetar i tij. Po them që BDI nuk do jetë pjesë e Qeverisë me asnjë kusht. Shqiptarët me asnjë kusht nuk mund të përfaqësohen në Qeveri përpos nga ai që reflekton vullnetin e qytetarëve.”- deklaroi Bujar Osmani.

E kur jemi te partitë politike dhe atë se kush duhet t’i përfaqësojë shqiptarët, në Maqedoni së fundmi ka paralajmërime se Lëvizja Vetëvendosje nga Kosova, do të hapë degën e saj në Maqedoni. Osmani për këtë shprehet se nuk ka nevojë dhe se do të dështojë. Sipas Osmanit, këto paralajmërime janë tentim për përçarje.

“Edhe në Maqedoninë e Veriut nuk ka nevojë për ndërhyrje të tillë. Do të dështojë siç kanë dështuar në të kaluarën mirëpo do të mbetet ajo shija e hidhur e tentimit për t’u treguar mend shqiptarëve të Maqedonisë se si duhet të organizohen për shkak se ne nuk jemi prej dje këtu. Ne kemi arritur një progres të pozicionit tonë etnik me hapa kuantik dhe nuk mundet askush të na tregon se si bëhet politika këtu. Unë shpresoj që këto tendenca vërtetë do të zbehen për shkak se do shohin se nuk ka tokë pjellore këtu për përçarje.”- tha Bujar Osmani.

Osmani potencoi që këto tendenca të Vetëvendosjes kanë qenë prezentë edhe në Shqipëri, Mal të Zi dhe në Luginën e Preshevës. Siç shton, zyrtarë të këtyre vendeve kanë shprehur shqetësimet e tyre për përçarje mes shqiptarëve.

Të ngjajshme

Të fundit