10 DHJETORI – DITA BOTËRORE E TË DREJTAVE TË NJERIUT
Komuniteti ndërkombëtar ka dështuar të ndalojë masakrën e mijëra fëmijëve dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga Izraeli në Gaza. Sot, 10 dhjetori duhet të përkujtohet si “Dita e Dënimit të Izraelit” në vend të Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, në mënyrë që brezat e ardhshëm të mos e kujtojnë epokën tonë si një epokë hipokrite.
Neni 1 i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut thotë se “të gjitha qeniet njerëzore lindin të lirë dhe të barabartë në dinjitet dhe të drejta”.
Kjo deklaratë e bërë nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara 75 vjet më parë, nuk ishte vetëm teorike. Ishte një premtim për një të ardhme më të mirë, që të gjithë njerëzit, pa përjashtim, janë në thelb të barabartë dhe meritojnë të njëjtat të drejta dhe liri.
Viti 1948 ishte viti kur u formua shteti i Izraelit dhe realizuan shpërnguljen masive të dhunshme dhe shpronësimin e palestinezëve. Sot, 75 vite më vonë nga konflikti izraelito-palestinez dhe dy muaj pas konfliktit të fundit që ngjau mes këtyre vendeve, ende ndjehet ndikimi dhe jemi dëshmitarë të një makthi të gjallë në Gaza.
Civilët në Gaza përballen me vdekjen, izolimin, shkatërrimin dhe privimin nga nevojat më thelbësore njerëzore. Më shumë se 70% e të vrarëve në sulmet izraelite kanë qenë gra dhe fëmijë. Ata që nuk vdesin nën bomba janë në rrezik të vdesin nga uria, etja dhe sëmundjet.
Lufta është gjithmonë një dështim i të drejtave të njeriut, një dështim për të zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë diplomatike dhe për të adresuar shkaqet rrënjësore. Kur rrethanat sjellin rrezik të shtuar të krimeve të mizorive, është e vështirë të flitet për koncepte si liria dhe barazia. Megjithatë, vlen të kujtojmë se Deklarata Universale u konceptua pas tmerreve të dy luftërave botërore. Për ata që dëshirojnë ta konsiderojnë me kujdes; ajo hap një rrugë për të dalë nga një errësirë e tillë.
Në këtë pikë katastrofe të madhe, OKB-ja dhe jo vetëm, ka mundësinë të krijojë një të ardhme më të mirë për njerëzimin. Të drejtat e njeriut le të jenë udhërrëfyesi i të gjithëve.
