Rusia – pengesa kyçe që pengon procesin e dialogut Kosovë-Serbi
Në një raport të publikuar më 1 mars në Prishtinë, nga Instituti Kosovar për Hulumtim dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED), thuhet se Rusia nuk dëshiron që procesi i dialogut Kosovë-Serbi të përfundojë me sukses sipas projekteve të Perëndimit.
Përfundimi me sukses i këtij dialogu do të çonte në konsolidimin e shtetit dhe shtetësisë së Kosovës dhe sigurinë rajonale, ndërsa mbyllja e problemeve me Kosovën do ta nxiste Serbinë të orientohej drejt Perëndimit.
Clat janë synimet e Rusisë
1. Minimi i themeleve të shtetësisë së Kosovës;
2. Diskreditimi i politikave perëndimore ndaj dialogut;
3. Rifitimi i drejtpërdrejtë i një roli aktiv të Moskës në këtë proces.
Raporti thotë gjithashtu se lufta në Ukrainë ka zbuluar thellësinë e marrëdhënieve politike, të sigurisë dhe atyre ekonomike midis Rusisë dhe Serbisë.
“Rusia përpiqet të përdorë rastin e Kosovës (ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 dhe shpallja e pavarësisë në vitin 2008) si një mjet pazari për të grumbulluar përfitime në Ukrainë dhe Gjeorgji, për të legjitimuar luftërat e saj aneksuese. Kosova është me interes të veçantë për Kremlinin.” – thuhet në raport.
Aleatët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, siç janë SHBA-ja dhe BE-ja duhet ta kuptojnë këtë qëndrim të raportit dhe të ndryshojnë rrjedhën e gjërave, gjegjêsisht ta përshpejtojnë procesin integrues të Kosovës, fillimisht në NATO, e më pas edhe në BE për gjithë vendet e rajonit. Çdo neglizhim i synimit drejt anëtarësimit euro-atlantik të Ballkanit Perëndimor, është një rrezikim shtesë për depërtimin e ideologjive dhe politikave ruse në rajon, veçmas kur një shtet i rajonit siç është Serbia nuk e fsheh bashkëpunimin dhe afërsinë e ngushtë që ka me Rusinë, e cila padyshim është destabilizuese në rajon.
Diplomacia amerikane dhe ajo evropiane duhet të ndërmarrin hapa gjeopolitik dhe gjeostrategjik drejt përshpejtimit të anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO, pasiqë kjo mund të jetë alternativa e vetme parandalimit të ndikimit rus në rajon. Rusia duhet të ndalet, si dhe Serbia!
