Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë se arratisja e të dënuarit për vrasjen e policit Triumf Riza, Enver Sekiraqa, është dështim i sistemin gjyqësor.
Kurti ka thënë se situata po bëhet edhe më e rëndë kur këto raste nuk po përbejnë përjashtim.
Kurti ka thënë në mbledhjen e Qeverisë të martën, se reforma në drejtësi është urgjencë, e jo siç ishte nevojë.
“Në javën që po e lemë pas, kuptuam që njëri nga personat më famkeq në botën e krimit i cili u dënua për vrasjen e policit, Triumf Rizës është arratisur. Arratisja e personit përgjegjës, Enver Sekiraqa është dështim i sistemit tonë gjyqësor. Qeveria e Kosovës angazhohet për çdo ditë për të përfshirë të gjithë qytetarët. Vendosja e rendit dhe ligjit është kusht i domosdoshëm për arritjen e këtij qëllimi. Reforma në drejtësi që dikur ishte nevojë tash është urgjencë”, ka thënë Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Kryeministri shtoi se të gjithë ata që e kanë njohur Triumfin e përshkruajnë njëzëri si profesionit të pashoq, i shkathtë në detyrë e shumë njerëzor me qytetarët.
“Triumfin e kam takuar edhe unë dhe e kam po këtë përshtypje. Arratisja e personit përgjegjës për vrasjen e tij, Enver Sekiraqës është dështim i sistemit tonë gjyqësor, që vazhdon të arratiset vet nga drejtësia”, tha Kurti.
Kurti shtoi se rastet e tilla nuk ngjajnë më si rastësi.
Ndryshe, Enver Sekiraqa është i dënuar për nxitje të vrasjes së pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Triumf Riza. Dhe që nga dita e premte është arratisur, pasi që ishte në masën e arrestit shtëpiak.
Enver Sekiraqa është i dënuar tri herë nga gjykatat në Kosovë për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, që nga e premtja është në arrati.
Sekiraqa në fillim të majit u dënua me 25 vjet burgim, por u la i lirë deri në plotfuqishmërinë e vendimit. Të premten e javës që shkoj Apeli mori vendim që ai të paraburgoset, por policia nuk e gjeti në shtëpi.
Sekiraqa akuzohet për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza në gusht të 2007-s, e cila sipas Prokurorisë ndodhi pas një zënke mes tyre në dhjetor të vitit paraprak.
Më 2017 ai ishte dënuar me 37 vjet burgim për dy vepra penale: “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe “detyrim”.
