Të flasësh pak e të thuash shumë kjo është më e mira. Së paku të thuash diçka që edhe të tjerët të të kuptojnë. Në shoqërinë tonë një çështje e cila ka rëndësi të madhe është roli dhe sjellja e politikanëve të dështuar të cilët me gjithçka që kanë mundohen t’i sulmojnë e poshtërojnë ata që i ngrit populli.
Shkruan Elon Latifi
Politikanët e dështuar shumë shpesh e shfaqin një kryelartësi të pashpjegueshme përderisa janë në pushtet. Ëndrra e tyre se pozita i bën të paprekshëm dhe të plotfuqishëm i çon në humbje të madhe. Harrojnë se janë zgjedhur për t’i shërbyer popullit e jo për ta sunduar! Çdo iniciativë të re, kjo kryelartësi i bën ata ta shohin me përçmim. Çdo zë i ri atyre u pengon, sepse nuk e duan ndryshimin.
Mospërfillja e qytetarëve është njëra ndër politikat më të gabuara që politikanët e dështuar e praktikojnë. Kur nuk dëgjohet zëri i popullit, kur nuk mirret në konsideratë shqetësimi i tyre, atëherë ti mbjell mosbesim dhe zhgënjim te qytetarët. Politikanët e dështuar njihen dhe shihen kur krenaria e tepërt se janë dikushi, i lidh fort për karrigen e pushtetit. Shfaqja e qëndrimeve arrogante, mospranimi i gabimeve, mveshja e dështimeve të tyre ndaj tjetërkujt dhe mosadresimi i problemeve, të gjitha këto janë veti të një politikani që ndihet krenar se është ulur në karrige të pushtetit!
Të dështuarit në politikë i frikëson kur një nismë e re mbështetet nga populli. Sulmet e pabaza që i drejtojnë ndaj të zgjedhurve të popullit, i bëjnë ata t’i harrojnë dhe mos të merren me gabimet dhe dështimet e veta. Pra, ti lëmë anash të dështuarit dhe t’i mbështesim ata që punojnë për të mirën e shoqërisë. Një qeverisje e mirë frymëzon një gjeneratë për të përparuar. Një qeverisje e dështuar përkundrazi nuk e dekurajon një gjeneratë për t’i rrëzuar ata nga pushteti.