Pesë objekte sportive në shkollat fillore dhe të mesme në vend do të rikonstruohen gjatë vitit 2026, me qëllim përmirësimin e kushteve për nxënësit dhe krijimin e ambienteve më të sigurta, moderne dhe funksionale për zhvillimin e aktiviteteve sportive.
Punimet do të realizohen në këto shkolla:
- SHFK „Imri Elezi“, Çair – Shkup
- SHFK „Gjergj Kastrioti – Skënderbeu“, Poroj – Tetovë
- SHFK „Said Najdeni“, Dibër
- SHFK „Naim Frashëri“, Kumanovë
- SHMK „Josip Broz Tito“, Qendër – Shkup
Sipas të dhënave të publikuara, këto investime janë pjesë e një programi më të gjerë për përmirësimin e infrastrukturës sportive në shkolla. Deri tani janë rikonstruuar 10 objekte sportive, ndërsa në 15 objekte të tjera punimet janë në fazën përfundimtare.
Investimet synojnë krijimin e kushteve më të mira për zhvillimin fizik dhe sportiv të nxënësve, duke e vendosur infrastrukturën sportive shkollore në fokus të investimeve për gjeneratat e reja.
„Sporti nuk është vetëm lojë, por një investim në zhvillimin e çdo fëmije“, thuhet në njoftimin për këto investime.




