Sofyan Amrabat është shpirti i këtij Maroku, 26-vjeçari i Fiorentinës ishte fenomenal në mesin e fushës. “Luftëtari” i mesfushës sakrifikoi për të dhënë kontributin e tij në takimin ndaj skuadrës së Luis Enriques.
Amrabat kishte probleme në shpinë dhe zbriti në fushë me injeksione. “Mbrëmjen përpara ndeshjes qëndrova zgjuar deri në orën 3:00 të mëngjesit bashkë me fizioterapistin tim, pasi po synonim të pamundurën.
Ndaj Spanjës luajta me injeksion, pasi nuk mund t’i lija vetëm shokët dhe vendin tim. Ndihem shumë i lumtur dhe krenar me kualifikimin”, deklaroi i përlotur titullari i “Luanëve të Atlasit”.
Sakrifica iu shpërblye dhe tani do të ketë disa ditë në dispozicion për t’u përgatitur për betejën e radhës, duelin ndaj Portugalisë (e shtunë, 16:00). Nëse Maroku eliminon luzitanët do të kthehej në Kombëtaren e parë afrikane që arrin në gjysmëfinalet e një Kupe Bote.
