Zv.ministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri nëpërmjet një statusi në rrjete sociale i ka reaguar Petar Bogojeskit pas ofendimit që i bëri shqiptarëve, informon POPULLI.mk
Statusi i plotë i zv.ministres:
“Individualisht dhe kombëtarisht jemi dëshmitarë të ngritjes dhe zgjerimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, si individë apo si komb. Dëshmia fatkeqësisht, nuk përcillet nga koshienca edhe nga ndërgjegjja jonë individuale dhe kombëtare për të definuar motivet dhe shpërndarësit e kësaj ligësie, gjë që na bën të ndjehemi të ofenduar, të revoltuar dhe në raste ekstreme, edhe të dëshpëruar. Prandaj, është koha të definojmë natyrën dhe arsyet e shpërndarjes së kësaj ligësie drejtuar ndaj nesh.
Edhe pse e konstruktuar si ofendim, gjuha e urrejtjes ndaj nesh është në fakt, gjuhë e zilisë, fjalor i impotencës dhe frymë e injorancës. Ndërsa mënyra e përhapjes së gjuhës së zilisë, në fakt, përshkruan intensitetin e ngritjes dhe sukseseve të shqiptarëve. Thënë shkurt, duhet të mësohemi që sa më shumë suksese të arrijmë, aq më shumë do të rritet intensiteti i ndjenjës së zilisë, përjetimit të kërcënimit dhe shfryrjes së urrejtjes.
Nga një popull i përjashtuar, për më pak se një çerek shekulli, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut – po, nga Shkupi dhe Struga, Tetova dhe Kumanova, Gostivari e Kërçova, Dibra e Krusheva – arritën të rizbulojnë, ridefinojnë, ringriten dhe rikthejnë shkëlqimin e viteve para Luftës së Dytë Botërore. Mes nesh kemi nobelistë e olimpistë, kemi kirurgë me përvojë dhe filologë me emër evropian, kemi universitete dhe kemi çerdhet më të zhurmshme e hareshme. Na adhurojnë në Tiranë e Prishtinë, na zbulojnë lashtësinë në Kumanovën Dardane dhe Ohrit e Linit. Kjo, me të drejtë, na bën krenarë dhe na frymëzon. Kjo, njëkohësisht, bën shumë të ndjejnë zili dhe të shpërthejnë urrejtjen, sepse asgjë tjetër përveç urrejtjes nuk kanë për të përballuar.
Ne vazhdojmë hapat drejt sukseseve tona, të përbashkëta. Karvani ynë kombëtar nuk ndalet dot dhe është jo vetëm humbje kohe, por edhe poshtëruese që të ndalemi dhe të humbasim kohë në sqarime dhe dialogje me ata që shprehin inferioritetin e tyre që ua ka zënë frymën. Dialogu me të tillë, polemikat dhe fjalosjet me njerëzit e gjuhës së zilisë vetëm se i faktorizon dhe i shpëton nga ndjenja e inferioritetit dhe mjerimit të injorancës.
Nuk na ndalin dot. Urrejtja e tyre, zilija e tyre, vetëm se na motivon të arrijmë më shumë dhe të ngrihemi më lart.
P.S Michelle Obama: “When they go low, we go high”. Cause we are daughter and sons of the Eagle and haters – remain worms.” / © POPULLI.mk
