Derbi i sotëm në Çair mes FC Shkupit dhe FK Vardarit dëshmoi edhe një herë pse Çairi konsiderohet si kalaja e pamposhtur në futbollin maqedonas. FC Shkupi triumfoi me rezultat të pastër 3:0 ndaj rivalëve të përbetuar, duke vulosur epërsinë e tyre si skuadra kryesore e kryeqytetit, shkruan POPULLI.mk
Ndeshja ishte jashtëzakonisht e zjarrtë, ku tifogrupi i Shkupit, “Shvercerat”, nuk u ndalën së kënduari për të gjithë 95 minutat, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme në stadium. Edhe pse tifogrupi “Komitët” kishin paralajmëruar se do të vijnë në Çair kjo përsëri nuk ndodhi siq nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Megjithëse Shkupi dominoi lojën në fushë, tensionet u ngritën në minutat e fundit të takimit kur dy portierët e ekipeve u përfshinë në një konfrontim të nxehtë.
Për të siguruar mbarëvajtjen e ndeshjes, forca të shumta policore u angazhuan për të përcjellë futbollistët e Vardarit deri në zhveshtore, duke shmangur çdo përplasje të mundshme pas ndeshjes. Golat e ndeshjes u shënuan nga Besar Guxhufi (’32), Xhemal Ibishi (’55) dhe El Hadji Gueye (’95). Me këtë fitore, FC Shkupi përforcon pozitën e saj si skuadra dominante e kryeqytetit. / © POPULLI.mk
