9.8 C
Skopje
E premte, 22 Nëntor, 2024

Mësuesi në Kosovë në Ditën botërore të tij

Shkruan: Rrahman Jasharaj

Sindikatat në Ballkan, Evropë e kudo në botë, përveç ditëve kombëtare të mësuesit e kanë përcaktuar 5 tetorin për ditën botërore të mësuesit dhe në këtë ditë çdo vjet bëjnë analiza, vlerësime për gjendjen aktuale dhe kudo  edhe mbajnë manifestime  në shenjë të kësaj dite te madhe. Në disa vende kjo ditë kthehet në festë sepse mësuesit, dalluar nga viti i kaluar, jetojnë më mirë dhe kanë pasur dialog me rezultate me Qeveritë dhe këtë ditë e shfrytëzojnë për t’i falënderuar Qeveritë e tyre për mesazhet e urimit dhe për kërkesat e realizuara.

Mësuesi në Kosovë në 5 tetorin e këtij viti nuk gjeti  arsye për festë. Pagat e kolegëve të tyre në shtetet e rajonit shënuan rritje të dukshme e mësuesi në Kosovë mbeti duke u përballur me sfidat e kohës e me përpjekjet për të lidhur fillimin e muajit me fundin. Madje, më keq  se kjo mësuesi  në Viti nuk mori fare as atë pagën, që është më e ulta krahasuar me shtetet e rajonit, dhe u desht që përfaqësuesit e  tyre të dalin para Qeverisë në ditën e 4 tetorit,pikërisht para ditës botërore të mësuesit,jo për të festuar por për të kërkuar, tani jo rritje page, po pagën e muajit shtator.

Mësuesi këtë vit e më 5 tetor ende është pa rritje page, pa Kontratë Kolektive të arsimit e pa shumë kërkesa të realizuara e nën presion se ajo që i ndodhi mësuesit në Viti mund t’u ndodh në muajin e ardhshëm edhe mësuesve në shumë komuna të tjera. Të mbesin pa rritje të koeficientit, po se po, por larg qoftë edhe pa këtë pagën që e kanë e që është shumë më e ulët se pagat e kolegëve të tyre në shtetet e rajonit.

Mësuesi në Kosovë është mësuar me sfida e me telashe pa fajin e tyre, por me dinjitet kanë festuar 7 Marsin – ditën kombëtare të mësuesit.E kujtojnë edhe ditën botërore bashkë me 11 milionë kolege e kolegë në Evropë dhe me 32 milionë kolege e kolegë në tërë botën nga të cilët kanë pasur dhe kanë mbështetjen e tyre. E kjo mbështetje u erdhi para dy ditëve edhe një herë nga Unioni i Sindikatave të Arsimit të Evropës. Punëtorë të arsimit në Kosovë edhe në këtë gjendje që jeni,gëzuar dita e madhe  botërore e mësuesit./EO

Të ngjajshme

Të fundit