5.8 C
Skopje
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Netanyahu ofron “5 milionë dollarë shpërblim për çdo peng” – për ata që ndihmojnë në lirimin e izraelitëve të mbajtur nga Hamasi

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se 5 milionë dollarë do të jepen si shpërblim për çdo rob të liruar nga Gaza dhe atyre që ndihmojnë në lirimin e izraelitëve të mbajtur nga Hamasi do t’u jepet një rrugëdalje nga territori palestinez i shkatërruar nga lufta.

Netanyahu njoftoi ofertën e shpërblimit gjatë një vizite të shkurtër në Gaza të martën, ku iu tregua Korridori Netzarim i ushtrisë izraelite – një rrugë kyçe për qasje dhe zonë tampon e ndërtuar nga ushtria izraelite për të ndarë Gazën veriore nga pjesa jugore.

“Atyre që duan të largohen nga kjo bllokadë, u them: Kush na sjell një peng, do të gjejë një rrugëdalje të sigurt për veten dhe familjen e tij. Ne gjithashtu do të japim 5 milionë dollarë për çdo peng”, tha Netanyahu gjatë vizitës së tij të shkurtër në territorin palestinez.

“Zgjedhja është e juaja, por rezultati do të jetë i njëjtë: Ne do t’i kthejmë të gjithë”, citohet të ketë thënë më tej ai.

Izraeli vlerëson se 101 robër mbeten në Gaza, megjithëse rreth një e treta e këtij numri tani besohet se kanë vdekur.

Oferta e shpërblimit të Netanyahut vjen ndërsa protestat masive vazhdojnë në Izrael nga familjet e robërve dhe mbështetësit e tyre, të cilët kërkojnë që kryeministri të arrijë një marrëveshje armëpushimi me Hamasin, që do t’i lirojë të dashurit e tyre.

Netanyahu ka thënë vazhdimisht se një opsion ushtarak është mënyra e vetme për të liruar të gjithë robërit dhe lufta e Izraelit në Gaza do të vazhdojë derisa të arrihet ky objektiv.

Të ngjajshme

Të fundit