Ura në Bit Pazar, që lidh këtë zonë të rëndësishme tregtare me pjesët tjera të qytetit, prej kohësh nuk është në funksion. Kjo situatë po ndikon jo vetëm në pengimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, por edhe në degradimin e vetë strukturës së urës.
Shkruan POPULLI.mk
Shitës ambulantë kanë vendosur papuqe dhe mallra të tjera për shitje në hyrjet e urës, duke bllokuar çdo mundësi për qarkullim normal. Nga ana tjetër, pjesa e sipërme e urës është mbushur me mbeturina, duke e kthyer atë në një simbol të papastërtisë dhe neglizhencës institucionale.
Lind pyetja: kush është përgjegjës për mirëmbajtjen dhe funksionimin e kësaj ure? A është kjo kompetencë e Komunës së Çairit apo e Qytetit të Shkupit? Mungesa e koordinimit dhe veprimit nga institucionet përkatëse po shkakton zhgënjim të madh te qytetarët.
Përse kjo urë nuk vihet në funksion, kur ajo mund të lehtësonte ndjeshëm lëvizjen e qytetarëve dhe të kontribuonte në organizimin më të mirë të hapësirës në këtë zonë të ngarkuar? Është koha që institucionet të ndërmarrin veprime konkrete për ta kthyer këtë urë në shërbim të qytetarëve dhe për ta shpëtuar nga degradimi i mëtejshëm.
Shumë persona janë shtypur nga veturat, e që ka pasur edhe vdekje për shkak që qytetarët kalojnë rrugën poshtë urës ku nuk ka as vija të bardha – vendkalim për këmbësorë (zebra) dhe as semaforë. / © POPULLI.mk
