3.8 C
Skopje
E enjte, 6 Shkurt, 2025

Albin Kurti nga Peja premton investime miliardëshe dhe projekte madhore infrastrukturore

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nga Peja ka bërë një zotim të fuqishëm për investime madhore në infrastrukturë, ekonomi dhe mirëqenie sociale, informon POPULLI.mk

Ai theksoi angazhimin e qeverisë për ndërtimin e rrugëve strategjike dhe mbështetjen e prodhimit vendor, duke e vënë theksin te zhvillimi i qëndrueshëm i vendit.

“Nga Peja e Lidhjes besa-besë dhe foleja e shqiponjave, zotohemi për ndërtimin e Rrugës së Dukagjinit që lidh Pejën dhe Istogun me Prizrenin, Rahovecin, Gjakovën dhe Deçanin, ndërtimin e Rrugës së Rugovës, si dhe rrugëve Pejë-Rozhajë e Deçan-Plavë”, deklaroi Kurti.

Ai gjithashtu njoftoi një mbështetje të madhe financiare për sektorin e prodhimit, duke premtuar mbi 1 miliard euro investime për ta fuqizuar atë.

Në fushën e mirëqenies sociale, kryeministri paralajmëroi themelimin e Fondit të Sigurimeve Shoqërore, i cili do të mbulojë pagesat për humbjen e vendit të punës dhe për pushimet e lehonisë e ato prindërore.

Një tjetër iniciativë e rëndësishme është programi “Anembanë”, i cili synon të lehtësojë lëvizjen e qytetarëve me një biletë të integruar mujore prej vetëm 10 eurosh, duke mundësuar udhëtim në të gjithë territorin e Kosovës.

Këto zotime të qeverisë vijnë në kuadër të përpjekjeve për të modernizuar infrastrukturën dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës për qytetarët e Kosovës. / © POPULLI.mk

Të ngjajshme

Të fundit