36.8 C
Skopje
E mërkurë, 12 Gusht, 2026

BDI: Nuk do të heshtim përballë këtij manipulimi politik

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ashpër ndaj qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë, duke i akuzuar për padrejtësi, manipulim dhe mbrojtje të pushtetarëve nga përgjegjësia, informon POPULLI.mk

Sipas BDI-së, një sërë funksionarësh shtetërorë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë për mbikëqyrjen dhe kontrollin e institucioneve nuk po mbajnë asnjë përgjegjësi për ngjarjet e fundit.

“Ministri i Punëve të Brendshme ka 13 muaj në funksion, drejtori i Sigurisë Publike 9 muaj, po aq edhe ministri i Ekonomisë dhe drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut. Drejtoria e të Ardhurave Publike është gjithashtu nën menaxhimin e tyre për 9 muaj. Ata kanë pushtet, kanë ndikim institucional dhe mund të ushtrojnë presion mbi dëshmitarët, por nuk mbajnë asnjë përgjegjësi,” thuhet në reagimin e BDI-së.

Sipas partisë, drejtësia po vepron në mënyrë selektive, duke lënë jashtë përgjegjësisë ata që aktualisht kanë pushtetin dhe ndikimin, ndërsa në paraburgim janë persona pa funksione ekzekutive dhe pa mundësi ndikimi në proces. “Ky nuk është një proces i drejtë, por një transaksion politik i orkestruar nga kryeministri për të manipuluar opinionin publik dhe për të devijuar hetimet e vërteta,” thuhet në deklaratë.

BDI paralajmëron se ky “spektakël i rrezikshëm” do të shkatërrojë rendin juridik, do të minojë besimin në drejtësi dhe do të krijojë polarizim të thellë politik në vend. “Ne nuk do të heshtim dhe nuk do të ndalemi së kërkuari të vërtetën. Nuk do të lejojmë që drejtësia e kapur dhe korrupsioni politik të fshehin fajtorët e vërtetë,” përfundon reagimi i BDI-së. / © POPULLI.mk