A ka krisje në koalicionin VLEN? Kjo pyetje është ngritur pasi në opinion u përhapën informacione se Arben Taravari, në një mbledhje të fundit me liderët e koalicionit, ka kërkuar që partisë së tij t’i takojnë 40% e kandidatëve për kryetarë komunash në zgjedhjet lokale të tetorit. Në një konferencë për media në Ministrinë e Shëndetësisë, Taravari refuzoi të konfirmojë ose mohojë këto pretendime, duke u fokusuar në çështje të tjera. “Kjo është jorelevante për temën që po diskutojmë sot, bisedimet ndër-koalicionuese, këto janë tashmë tema politike. Mendoj se sot jam më shumë i fokusuar në tema të shëndetësisë. Në koalicionin VLEN situata është relativisht stabile dhe në koalicionin qeveritar gjithçka është në rregull”, ka thënë Taravari.
Ai këtë e bëri të ditur duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve për të komentuar informacionet e djeshme në disa media në gjuhën shqipe se mund të largohet nga koalicioni VLEN dhe se koalicioni kërkon të paktën 40 për qind të kandidatëve për kryetar komune për zgjedhjet e ardhshme lokale që duhet të mbahen në tetor.
Nga ana tjetër, kryetari i Alternativës Zeqirija Ibrahimi nëpërmjet rrjeteve sociale ka reaguar në për diskutimet në opinion në lidhje me ardhmërinë e VLEN-it. Ai ka theksuar se ideja e ngritjes së VLEN-it ka qenë dhe mbetet rrënimi i një sistemi të kalbur dhe zëvendësimi me një sistem të ri, pa korrupsion, si dhe me një vizion të ri të përfaqësimit, ndërsa nuk duhet të shihet si një mjet për matematika zgjedhore apo kalkulime politike. Përndryshe koalicioni VLEN u formua përpara zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024 si një front opozitar kundër BDI-së dhe partive tjera shqiptare në qeveri. Pjesë e tij janë Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit, Alternativa e Zeqirija Ibrahimit, Lidhja Demokratike e Izet Mexhitit dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit. Shkruan Koha.mk



