Në sfondin e tensioneve brenda VLEN-it, burime nga skena politike bëjnë të ditur se krahu i ASH-së i udhëhequr nga Ziadin Sela, së bashku me dy deputetët turq – Bejxhan Iljas dhe Sali Murat – po konsiderojnë mundësinë e mbështetjes së Qeverisë aktuale, në rast se krahu i Arben Taravarit vendos ta braktisë atë, informon POPULLI.mk
Kjo lëvizje e mundshme vjen në kohën kur krahu i Taravarit ka shfaqur pakënaqësi të hapur për mënyrën e paraqitjes në zgjedhjet lokale brenda koalicionit VLEN, duke theksuar se preferojnë dalje me lista të veçanta për këshilltarët komunalë. Vetë Taravari ka lënë të hapur opsionin për dalje të pavarur në zgjedhjet lokale, por ka përjashtuar kategorikisht çdo mundësi bashkëpunimi me BDI-në.
Ndërkohë, krahu i Selës, i cili që nga ndarja ka mbetur më afër strukturave të mëparshme dhe nuk është bërë pjesë e koalicionit VLEN, po shihet si një alternativë për të ruajtur shumicën parlamentare nëse ndodh ndonjë tërheqje nga ana e Taravarit dhe deputetëve të tij.
Skena politike në Maqedoninë e Veriut mbetet e paqëndrueshme dhe javët në vijim pritet të sjellin më shumë qartësi për përbërjen e re të Qeverisë, si dhe për konfigurimet elektorale të partive shqiptare në prag të zgjedhjeve lokale. / © POPULLI.mk




