Pas dështimit të katërt të LVV-së për ta zgjedhur Albulena Haxhiun – kryetare të Kuvendit, deputeti i kësaj partie Hekuran Murati duke fajësuar partitë e tjera për bllokadë, tha se kushtetuta i obligon që ta votojnë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
“te votimi për kryesinë e Kuvendit, pra kryetarin dhe nënkryetarin, kemi edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese ku kërkohet që të gjithë deputetët duhet të jenë prezent dhe e kanë obligim që të votojnë.”, tha Murati.
Por me kërkesën e LVV-së, nuk po pajtohen partitë e tjera. Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se kandidatja për kryetare të Kuvendit Albulena Haxhiu, nuk është më e rëndësishme se sa formimi i institucioneve. Krasniqi, ka numëruar arsyet se pse PDK-ja nuk ka votë për Haxhiun.
“ Kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj Qeverie.”, tha Krasniqi.
Votë për kryetar të Kuvendit të propozuar nga LVV-ja nuk ka as LDK. Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Hykmete Bajrami akuzoi LVV-në se ka bllokuar formimin e institucioneve.
“Bllokuesit e vërtetë janë Vetëvendosje. Ata duhet të ulen me partitë. Ne nuk jemi ata që kërkojmë emër tjetër, ata mund të propozojnë si parti fituese një emër nga një grup tjetër dhe pastaj ulemi e shohim si do të votojnë”, ka thënë Bajrami.
Akuzat e opozitës se LVV-ja, ka “uzurpuar Kuvendin”, i hodhi poshtë deputetja Mimoza Kusari Lila. Ajo tha se grupet e tjera nuk mund t’ia përcaktojnë VV-së se kë ta propozojnë për kryetar Kuvendit.
“Hajde po i bjëmë ne 61 vota e pastaj te shohim si po i votojnë opozita nënkryetarët e tyre.”, tha Kusari Lila.
LVV-ja, në përpjekjen e katërt për konstituim të Kuvendit nuk e hodhi fare në votim propozimin e tyre për kryetar Kuvendi. Në dy herët e para, LVV-ja kishte siguruar vetëm 57 vota për kandidaten e tyre. Kushtetuesja nuk ka caktuar një afat kohor se deri kur partia e parë mund të vazhdojë të provojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Në këtë situatë PDK dhe LDK-ja paralajmëruan se do të shohin mundësinë për t’i ndjekur hapat ligjor.
“Do të shohim uroj që të mos vijë puna deri aty:”, tha Memli Krasniqi nga PDK-ja
“Do të shohim çka të veprojmë tutje.”, tha Hykmete Bajrami nga LDK
Në anën tjetër AAK-ja vazhdon të ketë ofertë për LVV-në
“Ne qëndrojmë në atë se çka kemi thënë, votojmë Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin”, tha Daut Haradinaj.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj i cili është përfolur për një bashkëpunim me LVV-në, tha se partitë politike duhet të gjejnë një rrogë për të ecur më tutje.
“Nganjëherë në situata ju duhet të gjeni një rrugë për të ecur më tutje. Unë besoj që ishte një qëndrim korrekt për të gjetur rrugë. Në fund të fundit, kjo është një mënyrë e funksionimit të bashkëpunimit, të gjetjes rrugë që Kosova t’i bëjë institucionet e veta. Shpresoj që nga sot do të bëhen përpjekje për me u afru dhe me ia dhënë shansin dhe mundësinë krijimit të institucioneve”, tha Limaj.
Të mërkurën do të jetë përpjekja e 5-të e LVV-së për konstituim të Kuvendit./21Media
