Shkup, 26 nëntor 2026 – Me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive ka organizuar një sërë aktivitetesh solemne dhe kulturore, duke e shënuar këtë datë të rëndësishme historike me dinjitetin, respektin dhe përmasën që meriton.
Brenda vetëm dy ditëve, janë organizuar katër aktivitete madhore, me pjesëmarrjen e mbi 2.000 qytetarëve, personaliteteve dhe përfaqësuesve institucionalë, duke e kthyer këtë përvjetor në një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për shqiptarët, por edhe për bashkëpunimin ndërinstitucional dhe ndërshoqëror.
Aktivitetet e organizuara përfshinë:
Aktivitetin në bashkëpunim me Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITShKSh), “Konferenca Shkencore Ndërkombetare” me qëllim të promovimit dhe valorizimit të trashëgimisë sonë kulturore dhe historike.
Takimin me veteranët e arsimit shqip, ku u ndanë 55 mirënjohje për kontributin e tyre të çmuar në zhvillimin, ruajtjen dhe avancimin e arsimit në gjuhën shqipe. Ky aktivitet ishte një homazh për brezat që me përkushtim dhe sakrificë kanë mbajtur gjallë gjuhën dhe dijen shqipe.
Ceremoninë solemne në Qeveri, kushtuar 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit Shqip, si një moment përkujtimi dhe reflektimi mbi rëndësinë historike të Kongresit të Manastirit dhe vendimin që përcaktoi të ardhmen e shkrimit dhe zhvillimit të gjuhës shqipe.
Eventin qendror në Manastir, me titullin “Dita e Alfabetit – Koncert me pjesëmarrjen e tri Ansambleve Shtetërore Shqiptare”, ku përmes artit, muzikës, këngës dhe traditës u përcoll mesazhi i unitetit kulturor dhe i lidhjes së përhershme me rrënjët tona historike.
Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive ka pasur rolin e koordinatorit kryesor të organizimit të aktiviteteve, në bashkëpunim të ngushtë me Zëvendëskryeministrin e Parë, Ministrinë e Kulturës, Ansamblin Shtetëror Shqiptar, Institutin për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve (ITShKSh) dhe Agjencinë e Zbatimit të Gjuhëve (AZGJ).
Një nga veçoritë më të rëndësishme të këtij organizimi ishte karakteri i tij gjithëpërfshirës dhe institucional. Në aktivitete morën pjesë delegacione nga Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë, përfshirë kryeministrat Albin Kurti dhe Edi Rama, si dhe 12 deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Pjesë e këtyre aktiviteteve ishin edhe ambasadorët e Shqipërisë dhe Kosovës në Maqedoninë e Veriut, profesorë universitarë, rektorë të universiteteve, studentë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit e Shqipërisë, si dhe tri ansamblet shtetërore nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria.
Një moment i veçantë i mbrëmjes festive në Manastir ishte edhe prania e artistit Pajazit Murtishi, mysafir special nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Me paraqitjen dhe elegancën e tij artistike, ai atë natë në Manastir të kujtonte figurën e rilindësit dhe poetit tonë të madh, Naim Frashëri.
Ky organizim dëshmoi se Dita e Alfabetit Shqip është shumë më tepër se një datë në kalendar. Ajo është simbol i identitetit, i dijes, i unitetit dhe i përpjekjeve të brezave për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe.
Me këto aktivitete, Ministria e Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive riafirmon përkushtimin për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, ku diversiteti gjuhësor dhe kulturor përfaqëson vlerë të përbashkët.
22 Nëntori na bashkon rreth një historie të përbashkët dhe na obligon që këtë trashëgimi të çmuar ta ruajmë, ta kultivojmë dhe t’ua përcjellim brezave të ardhshëm.




