Zeqirija Ibrahimi ka shpërndarë një reagim të drejtpërdrejtë dhe të ngarkuar me simbolikë politike, drejtuar Arben Taravarit, duke e vënë theksin në qëndrimet e paqarta dhe lëvizjet e fundit që kanë krijuar pështjellim në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, informon POPULLI.mk
“Pak BDI, pak qeveri, ollmaz Doktor!” – është fjalia me të cilën nis deklarata e Ibrahimit, një mesazh i qartë për ata që përpiqen të ndërtojnë aleanca të dyfishta, me një këmbë në opozitë dhe tjetrën në pushtet.
Ibrahimi liston të gjitha frazat që mund të përdoren për të justifikuar pozicionime politike, por që, sipas tij, nuk qëndrojnë para realitetit politik:
-
“Mund të thuash ‘po shkojmë me lista të ndara, sepse kështu maksimalizohet vota’”
-
“Mund të thuash se ‘do të shkojmë në zgjedhje vetë’”
-
“Mund të thuash se ‘jemi të hapur për bashkëpunim edhe me VLEN-in edhe me partitë e tjera’”
-
“Mund të thuash se ‘këtë e bëj për popullin dhe në emër të popullit’”
Me një dozë ironie dhe sarkazme, ai vijon të përmend edhe temat për të cilat, sipas tij, janë zhvilluar “biseda të pafajshme” me liderin e BDI-së:
-
“Mund të thuash se ‘me Ali Ahmetin kam biseduar në telefon vetëm 40 minuta për, fjala bie, Mesharin e Gjon Buzukut të MarLin Barletit’”
-
“Mund të thuash se ‘më erdhi keq se Ali Ahmeti ishte i shqetësuar për tema si ‘Soravia’ dhe lista e zezë Nongrata’”
-
“Mund të thuash se ‘do të takohem me Ali Ahmetin për të biseduar se a ishin shqiptarët më të degraduar më 2012 kur gratë shqiptare tërhiqeshin zvarrë apo sot kur kufiri Kosovë-RMV është bërë i pavërejtshëm’”
Dhe, si për ta përmbyllur me reflektim personal, ai thotë:
“Mund t’i thuash vetes se ‘njerëzit po më besojnë’.”
Por për Ibrahimin, një është e vërteta e vetme:
“Ama, në krejt këto fjali vetëm një lexim është i saktë – ‘e bëra këtë jo se nuk e desha e VLEN-in, porse këtë ma kërkoi Ali Ahmeti dhe BDI-ja’.”
© POPULLI.mk
