20.4 C
Skopje
E martë, 11 Gusht, 2026

Taravari: Fatin e popullit e marrim më seriozisht se emrat e përveçëm – nuk jemi as taksi, as barkë shpëtimi për askënd

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, ka dalë me një deklaratë të fuqishme politike, duke theksuar se prioritet i vetëm i partisë që ai drejton është interesi i qytetarëve shqiptarë, e jo individët apo lojërat politike, informon POPULLI.mk

“Ne deklarojmë që fatin e këtij populli e shohim më seriozisht se sa emra të përveçëm, dhe se jemi të çliruar nga kompleksi i tyre, i cili është shndërruar si Kompleksi i Edipit”, theksoi Taravari, duke iu referuar atyre që, sipas tij, janë të kapur pas emrave dhe egove personale.

Ai shtoi se çdo veprim i Aleancës për Shqiptarët bëhet me përgjegjësi dhe jo për t’i bërë qejfin apo inat dikujt. “Nuk bëjmë asnjë lëvizje për qejf apo për inat të askujt”, tha ai.

Taravari ironizoi edhe disa figura politike që, siç tha ai, “bëjnë profeci në emrin tonë si të ishin Baba Vanga”, duke i ftuar ata të fokusohen në çështje më objektive sesa “parashikimet e së ardhmes”.

Në fund, ai ishte i qartë në mesazhin se Aleanca për Shqiptarët nuk është mjet në duart e askujt: “Nuk jemi as taksi që na përdorin për transport e pastaj na marrin çelësat, dhe as barkë shpëtimi për emra e mbiemra.”

“Ne jemi Aleanca për Shqiptarët që punon vetëm në interes të Njerëzve!”, përfundoi Taravari. / © POPULLI.mk