Lidhja Demokratike e Kosovës ka refuzuar ofertën e Albin Kurtit për bashkëpunim politik. Në krizën e thelluar për konstituimin e Kuvendit, dhe pas pranimit të një tjetër letre nga Kurti që përmbante lutje të përsëritura për bashkëpunim, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në një konferencë për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ritheksoi prerazi qëndrimin e partisë për të mos hyrë në asnjë formë bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje.
Duke iu referuar “stagnimit serioz të vendit” në katër vitet e fundit, Abdixhiku tha se LDK “e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Vetëvendosje.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, njoftoi të martën se i ka ftuar të gjitha partitë parlamentare shqiptare të takohen së bashku për ta formuar një qeveri tranzicionale dhe “unifikuese”.
“LDK-ja propozon nisjen e procesit konsultativ me qëllimin e qeverisë nacionale të tranzicionit me afat të caktuar deri në zgjedhjen e Presidentit të ri”, tha mes tjerash Abdixhiku.
