Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, ka reaguar pas deklaratave të Arben Taravarit, duke pranuar se përpjekjet për ta bindur atë të qëndrojë jashtë rrethit politik të BDI-së kanë qenë të shumta dhe të sinqerta – por kësaj here, pa sukses, informon POPULLI.mk
“Po, shumë e vërtetë. Jo vetëm në Gostivar, por edhe në Tetovë, Shkup e Prishtinë e kemi lutur. Shumë herë. Aq shumë, sa mezi e shqepëm nga BDI-ja e Aliut,” shkroi Qoku në një reagim publik, duke theksuar se herën e parë Taravari kishte marrë një vendim të guximshëm për t’u distancuar nga partia që, sipas tij, kishte humbur besimin qytetar.
Qoku shton se përkundër përpjekjeve të shumta edhe tani, Taravari nuk u shkëput nga “magjepsja e Aliut”, duke e cilësuar si një rikthim të pakuptueshëm në një kamp politik që dikur e kishte braktisur për dinjitet dhe nder.
“Një njeri nuk do të duhej të lutej për të ecur në rrugën e drejtë, por realiteti shpesh tregon të kundërtën. Kësaj radhe, fatkeqësisht, dështoi. Dhe bashkë me të, edhe ne,” përfundon Qoku, duke theksuar se pavarësisht këtij zhgënjimi, rruga e VLEN-it vazhdon.
“Jeta dhe beteja vazhdon. Ecim tutje.” / © POPULLI.mk




