Në skenën politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në opinion kanë filluar të qarkullojnë sinjalet e para për një mundësi ribashkimi mes dy krahëve të Aleancës për Shqiptarët – ai i Arben Taravarit dhe ai i Ziadin Selës, shkruan POPULLI.mk
Duket se disa figura të rëndësishme po lëshojnë sinjale për një reflektim të mundshëm dhe rikthim të një bashkëpunimi të vjetër.
Një ndër zërat e parë që e ka hapur këtë debat është Blerant Ramadani, që përmes disa deklaratave ka sugjeruar se ekzistojnë arsye të forta për të menduar për një bashkim, ndoshta edhe për hir të stabilitetit politik dhe mbijetesës elektorale. Nga ana tjetër, Arben Fetai, një nga figurat më të zëshme në krahun e Taravarit, nuk është aspak entuziast për një ribashkim që do të përfundonte në një koalicion me BDI-në, duke e quajtur një kthim prapa dhe një nënshtrim ndaj asaj që ai e konsideron establishment të vjetruar politik.
Pyetja thelbësore që del është: kush do ta ketë “marrjen” nëse vjen ky ribashkim? Krahu i Taravarit është pa vulë, gjë që e bën më të ekspozuar ndaj një thithjeje nga kampi i Selës, i cili aktualisht ruan formalisht partinë. Në këtë rast, ribashkimi nuk do të ishte një bashkim mes të barabartëve, por më tepër një kthim nën ombrellën e vjetër të Ziadin Selës, e cila mund të përdoret për një bashkëpunim me BDI-në në zgjedhjet lokale.
Për më tepër, nuk duhet harruar retorika dhe akuzat që të dy krahët kanë lëshuar kundër njëri-tjetrit gjatë ndarjes. Nga tradhtia politike, deri te akuzat për shkelje të parimeve dhe flirtime me BDI-në, këto fjalë ende janë të freskëta në kujtesën e opinionit publik.
Duke e parë se ASH e Taravarit është në një pozitë të dobësuar dhe pa pushtet real, një bashkim me Selën mund të shihet edhe si një përpjekje për të shpëtuar atë që ka mbetur nga ky grup. Por a do t’i ndjekin deputetët dhe përkrahësit e Taravarit këtë drejtim? A do të pranojnë të bëhen pjesë e një projekti që përfundon në koalicion me BDI-në?
Për momentin, gjithçka mbetet në nivelin e sinjaleve dhe diskutimeve të brendshme. Por ajo që është e qartë, është se çdo lëvizje do të vëzhgohet me kujdes nga opinion publik dhe do të matet me premtimet e dhëna gjatë fushatës. / © POPULLI.mk




