Pas muajsh të tërë paqartësie dhe zhgënjimi të thellë me zhvillimet brenda klubit, grupi i tifozëve më të zjarrtë të FC Shkupit, Shvercerat, kanë reaguar ashpër duke dhënë një ultimatum publik prej dy javësh ndaj drejtuesve të klubit, informon POPULLI.mk
Përmes një deklarate të fuqishme, Shvercerat theksojnë se durimi i tyre ka arritur fundin, ndërsa klubi po shkon drejt një rrëmuje të re:
“Pakënaqësia është e madhe dhe ka një arsye të fortë: Klubi ynë i zemrës, FC Shkupi, po braktiset!”
Ata e drejtojnë gishtin drejt pronarit aktual, të cilin e akuzojnë për mungesë transparence, heshtje të qëllimshme dhe mosrespekt ndaj klubit dhe tifozëve:
“Ai që premtoi shumë është zhdukur pa asnjë sqarim, pa respekt për klubin dhe për ne!”
Në deklaratë, Shvercerat rikujtojnë edhe një prej momenteve më të vështira të klubit – vitin 2009, kur sipas tyre klubi ishte lënë në baltë, por ata ia dolën ta ringrinin fuqishëm.
“Po ta kërkojë koha, do ta bëjmë prapë! Edhe më të fortë, edhe më të bashkuar!”
Tifozët paralajmërojnë se kanë pasur bisedime me drejtuesit e grupit dhe kanë vendosur një afat dyjavor për të rregulluar pagesat dhe për të stabilizuar situatën në klub. Në të kundërt, ata njoftojnë se do të “veprojnë vetë”.
Mesazhi i tyre është i qartë, i ashpër dhe i pa ekuivok:
“Nuk ka FC Shkupi pa Shvercerat! Nuk ka klub pa respekt për tifozin! Vjen koha për llogari!”
Deklarata përmbyllet me thirrjen e tyre të njohur: “FC SHKUPI PËRJETË!”
© POPULLI.mk
