Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pritet të zhvillojë sot një takim me liderin e ASH-së, Arben Taravari. Ora e saktë e takimit nuk është bërë publike, duke shtuar dyshimet dhe spekulimet për natyrën e bisedimeve që po zhvillohen në prapaskenë, informon POPULLI.mk
Tema kryesore, sipas burimeve të brendshme, pritet të jetë ndarja e komunave shqiptare, përkatësisht se cilat komuna është i gatshëm Ali Ahmeti t’ia “dorëzojë” Taravarit, si pjesë e një marrëveshjeje për bashkëpunim të mundshëm në zgjedhjet lokale.
A do të ketë marrëveshje mes dy figurave politike? Apo gjithçka do të mbetet në nivel bisedimesh të hapura, pa konkretizim? Kjo mbetet të shihet në orët ose ditët në vijim.
Por pyetja më e madhe që qëndron pezull është se çfarë do të thotë ky takim për kohezionin brenda dy partive respektive? Nëse marrëveshja eventuale përfshin ndarje komunash, ekziston rreziku që të dalin në pah të gjitha deklaratat dhe kritikat e ashpra që drejtuesit e VLEN-it kanë bërë më herët për Taravarin, kur ai u akuzua për afrime me BDI-në.
Një lëvizje e tillë mund të shkaktojë përçarje të brendshme në të dy kampet – në ASH, ku ekziston ende pakënaqësi për drejtimin personal të Taravarit, dhe në BDI, ku disa fraksione nuk e përtypin lehtë idenë e bashkëpunimit me dikë që deri dje i akuzonte për kapje të shtetit.
Në fund, çështja mbetet e hapur, po ndërtohet një bashkëpunim i ri politik, apo një marrëveshje për mbijetesë personale?
Nga ana tjetër partnerja e BDI-së në Frontin Europian, Ilire Dauti është shprehur qartë se është kundër këtij takimi mes Ahmetit dhe Taravarit.
Taravari ka dhënë sinjale se përsëri dëshiron të kandidojë personalisht për kryetar të Gostivarit ndërsa pjesa tjetër brenda ASH-Taravari janë kundër këtij vendimi dhe e duan Valbon Limanin si kandidat kryesor. / © POPULLI.mk