Kryeministri në detyrë dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka ftuar sot liderët e të gjitha subjekteve politike të përfaqësuara në legjislaturën e re të Kuvendit, për një takim të përbashkët, informon POPULLI.mk
Në një postim, Kurti thekson se aktgjykimi i djeshëm i Gjykatës Kushtetuese e bën të qartë se obligimi për konstituimin e Kuvendit është përgjegjësi e të gjithë deputetëve dhe jo vetëm e subjektit të parë.
“Si kryetar i Lëvizjes VETËVENDOSJE! dhe në emër të grupit më të madh parlamentar të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, sot u jam drejtuar të gjithë krerëve të subjekteve të përfaqësuara në legjislaturën e nëntë, me ftesë për takim të përbashkët të shtunën (nesër) në orën 16:00, në përpjekje të radhës në funksion të konsensusit për konstituim të Kuvendit”, ka shkruar Kurti.
Kujtojmë se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet edhe pas 37 tentimeve, ndërsa Gjykata Kushtetuese vendosi dje që ky proces të përfundojë brenda 30 ditëve nga mbajtja e seancës konstituive. / © POPULLI.mk
