Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë, informon POPULLI.mk
Përmes një mesazhi publik, Ahmeti e ka cilësuar këtë ditë si simbol të lirisë, demokracisë dhe aleancave të forta, duke theksuar se populli shqiptar dhe Maqedonia e Veriut kanë ndërtuar një partneritet të thellë dhe të qëndrueshëm me SHBA-të.
“Çdo hap që kemi bërë përpara, në liri, barazi, integrim dhe zhvillim, ka qenë i mundur falë mbështetjes së çmuar dhe aleancës strategjike me SHBA-të”, ka shkruar Ahmeti.
Ai ka shtuar se kjo miqësi dhe besnikëri e ndërsjellë është garanci për të ardhmen euroatlantike të vendit dhe për paqen e qëndrueshme në rajon.
Në fund të urimit të tij, lideri i BDI-së ka theksuar përkushtimin për vazhdimin e këtij rrugëtimi të përbashkët me SHBA-në, duke uruar “Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!” / © POPULLI.mk



