16.8 C
Skopje
E diel, 16 Gusht, 2026

Mexhiti: Një vit qeverisje me rezultate konkrete dhe kthim dinjiteti për shqiptarët

Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një postim të gjatë ka bërë bilancin e vitit të parë të qeverisjes, duke theksuar se shqiptarët po shohin ndryshimin dhe dallimin mes qeverisjes së tanishme dhe atyre të kaluara, informon POPULLI.mk. 

“Një vit më parë morëm përsipër një përgjegjësi të madhe: ta kthenim politikën shqiptare nga mjet privilegjesh personale në një instrument që sjell dinjitet dhe zhvillim për çdo qytetar, për çdo shqiptar,” shkroi Mexhiti.

Ai listoi disa nga arritjet kryesore të këtij viti:

  • Mijëra vende të reja pune, me investim prej 40 milionë euro për vetëpunësim, duke krijuar mundësi të reja për të rinjtë dhe gratë.

  • Rritje të pagës minimale, si dhe rritjen më të madhe të pagave në dekada për mësuesit, mjekët dhe policët.

  • Transformim ekologjik, me 52.5 milionë euro nga Bashkimi Evropian për projekte mjedisore, deponi sanitare moderne dhe autobusë ekologjikë që do të ulin ndjeshëm ndotjen e ajrit.

  • Investime në ujësjellës dhe kanalizime në çdo komunë, veçanërisht në zonat shqiptare.

Një nga veprat që Mexhiti e cilëson si fitore të madhe është mbyllja e industrisë kriminale të kazinove dhe bixhozit, duke shuar 226 kazino online dhe duke i dhënë fund një epoke që, sipas tij, rrjepte qytetarët dhe shkatërronte familjet.

Ai akuzoi opozitën se për vite e kishte mbajtur peng gjuhën shqipe dhe nuk kishte bërë asgjë për projektet madhore arsimore dhe zhvillimore. “VLEN punon, ata flasin. VLEN ndërton, ata sulmojnë,” tha Mexhiti.

Në fund, ai falënderoi ambasadorin shqiptar në Shkup, Denion Meidani, për interesimin e tij të sinqertë, duke theksuar se lidhjet mes Shqipërisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut janë të përhershme dhe duhet të jenë mbi partitë e individët.

“Pozicionet tona janë të përkohshme, por Shqipëria dhe lidhjet tona me të janë të përhershme,” përfundoi Mexhiti. / © POPULLI.mk