18.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Privatizimi i “Partizanit”: GJKKO liron Malltezin me garanci pasurore

Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ndryshoi sot masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndaj Jamarbër Malltezit, i marrë i pandehur për dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”.

Gjykata ka pranuar kërkesën për revokim të masës së sigurisë të Malltezit, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh. Në një deklaratë për mediet, ai tha se ky vendim u mor 20 muaj pas privimit të lirisë. Malltezi tha se masa ndaj tij ishte me urdhër politik.

“Kemi zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një shtet që lufton armiqtë e PS. Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie, thjesht me një urdhër politik. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik,” deklaroi Malltezi.

Malltezi u arrestua në aeroportin e Rinasit më 21 tetor 2023, me kërkesë të SPAK. Masa e “arrestit në shtëpi” iu caktua në nëntor të 2023-shit.

Dhëndri i Sali Berishës, akuzohet nga SPAK për kryerjen e veprave “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Nga ana tjetër në dosjen “Partizani” ish-kryeministri Berisha akuzohet për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”.

Nën akuzë për dosjen “Partizani” janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina. Në gjykim janë edhe shoqëritë tregtare të përfshira në aferën e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”.

SPAK e akuzon Berishën se, gjatë kohës që ishte kryeministër, ka përdorur funksionin e tij për të favorizuar dhëndrin Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”. Sipas SPAK, ky privatizim është bërë në mënyrë të parregullt dhe me ndikim të paligjshëm nga Berisha, duke sjellë përfitime të padrejta për Malltezin dhe dëm ekonomik për shtetin. Berisha i ka cilësuar akuzat si politike.

Të ngjajshme

Të fundit