Ish ministri i Jashtëm nga radhët e BDI, Bujar Osmani, ka shpallur sot kandidaturën e tij për kryetar të Komunës së Çairit, informon POPULLI.mk.
Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Osmani tha se ky vendim vjen pas shumë konsultimeve dhe reflektimit të gjatë, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për një funksion, por për një përgjegjësi ndaj shtëpisë së tij dhe të gjithë qytetarëve të Çairit.
“Ata që më njohin, e dinë mirë se çdo sfidë e pranoj me sinqeritet të plotë, i përkushtuar tërësisht dhe pa asnjë rezervë. Qytetarët e Çairit nuk e meritojnë të jetojnë në kushte të mjerueshme dhe të pasigurta, nuk meritojnë të injorohen e të nënçmohen,” u shpreh Osmani.
Ai tha se këtë sfidë e pranon edhe për të ardhmen e fëmijëve të tij, Eliza, Mali dhe Luani, që të rriten në një Çair më të mirë dhe më të denjë për ta.
“Çairit i duhen ndryshime të vërteta, të thella dhe njerëzore. E di se kjo nuk është e lehtë, prandaj edhe vendimin e kam peshuar gjatë. Unë nuk iu shmangem misioneve, sado të vështira qofshin ato,” theksoi Osmani.
Ai premtoi se me qëllim të ndershëm, vullnet për punë të përditshme dhe qasje profesionale, Çairi mund të ndryshojë dhe t’i rikthehet dinjiteti i humbur.
“Nga sot nisim këtë rrugëtim. Faleminderit nga zemra të gjithëve që më dhanë mbështetje dhe besim në këtë periudhë. Jam thellësisht i bindur se me bashkëpunëtorë që i dalin zot punës, do t’ia dalim! Çairi e pret ndryshimin dhe atë do e sjellim! Na priftë e mbara,” përfundoi Osmani. / © POPULLI.mk