Gjigantët spanjollë kanë qenë të zënë në afatin kalimtar të kësaj vere, me Trent Aleksander-Arnoldin si përforcimin e tyre më të profilit të lartë.
Ata kanë nënshkruar gjithashtu me Dean Huijsen nga Bournemauti, Alvaro Karreras nga Benfika dhe 18-vjeçarin shumë të vlerësuar Franko Mastantuono nga River Plate, ndërsa po shqyrtojnë edhe tjera mundësi. Por, skuadra e tyre aktuale mund të kishte qenë shumë më e fortë nëse do të kishin arritur të nënshkruanin tre yje në ngritje në vitin 2020, ndërsa Zinedine Zidane ishte ende në krye të ekipit.
Një nga lojtarët që Reali i kishte caktuar për transferim ishte Kai Havertz, i cili u largua nga Bajer Leverkuzeni për në Çellsi atë verë. Gjermani kaloi tre sezone te Çellsi, me momentin e tij më të paharrueshëm që ishte goli i fitores në triumfin e tyre në Ligën e Kampionëve ndaj Man. Sitit në vitin 2021. Që kur u transferua te Arsenali, Havertz ka qenë titullar për Mikel Artetan, por humbi fundin e sezonit të kaluar për shkak të një këputjeje të muskulit të kofshës.
Po atë verë, Zidan ishte gjithashtu i etur të nënshkruante me Florian Virtz, i cili ishte transferuar nga FC Koln te Bajer Leverkusen në janar. Që atëherë, 22-vjeçari është bërë një nga talentët më të mëdhenj të Evropës, duke shënuar 57 gola dhe duke dhënë 65 asistime në 197 paraqitje për skuadrën gjermane. Ai u zgjodh ‘Lojtari i Sezonit’ në Bundesligë në sezonin 2023/24, ndërsa skuadra e Çabi Alonsos mbeti e pamposhtur në rrugën e tyre drejt fitimit të Bundesligës
Real Madridi gjithashtu humbi mundësinë e transferimit të Nuno Mendes në vitin 2020. Një vit më vonë, mbrojtësi i majtë portugez u transferua te PSZH në formë huazimi për një sezon me mundësi blerjeje, të cilën gjigantët francezë e aktivizuan. Edhe pse dy sezonet e tij të para në Francë ishin pozitive, ishte sezoni i kaluar kur ai filloi të konsiderohej si një nga mbrojtësit e krahut më të mirë në botë.
