2.8 C
Skopje
E premte, 13 Mars, 2026

Rajoni lufton me zjarret

Gazetare: Fatlume Dervishi

Në të gjithë rajonin dhe më gjerë, temperaturat e larta mbi 40 gradë, janë rrezik serioz për zjarret të cilat luftohen nga zjarrfikësit, pjesëtarët e ushtrive dhe madje edhe banorë civilë.

Autoritetet në Shqipëri luftuan me flakët në Delvinë në jug të shtetit shqiptar. Tre persona u lënduan kurse rreth 2 mijë banorë nga tre fshatrat më të afërt u evakuuan. Zjarri shkatërroi një kishë dhe 11 shtëpi.
Një zjarr masiv ka përfshirë edhe malin Shpirag në qytetin e Beratit. Më shumë se 30 mjete zjarrfikëse janë angazhuar por ndërhyrja është e vështirësuar për shkak të terrenit malor dhe erës që favorizon flakët.

Me zjarret Lufton edhe Kosova. Flakët kanë përfshirë fshatin Pakashticë të komunës së Podujevës pasditen e së premtes, duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje të konsiderueshme me pisha. Autoritetet kanë bërë me dije se ekipet zjarrfikëse dhe Policia e Kosovës janë në terren për të menaxhuar situatën kurse u bëjnë thirrje qytetarëve të mos ndezin zjarre në ambiente të jashtme.

Zjarret pyjore që po shpërthejnë në disa provinca në Turqi vazhdojnë të shkaktojnë probleme dhe humbje të mëdha. Deri më tani janë evakuuar dhe janë zhvendosur në zona të sigurta 2,619 persona. Tragjedia e djeshme atje ishte e madhe, dhjetë zjarrfikës humbën jetën ndërsa përpiqeshin të shuanin zjarrin në Turqinë qendrore, pasi një erë e fortë dhe e papritur ndryshoi drejtimin e flakëve dhe rrëmbeu ata që ishin bllokuar.

Vala e të nxehtët në Greqi, që nisi të hënën, tani pritet të zgjasë më shumë se një javë, teksa shërbimi i motit tha se vendi u përball me temperatura afër 46 gradë Celsius në dy ditët e fundit. Një zjarr që shpërtheu gjatë kësaj jave shkatërroi mbi 1.130 hektarë tokë pyjore pranë fshatit Feneos. Ndërkaq, të premten për shkak të një zjarri në afërsi të qytetit Kilkis, në veri të Greqisë, autoritetet evakuuan një universitet, shtëpi dhe biznese.

Një zjarr serioz përfshiu edhe një zonë industriale në Kroaci kurse temperaturat e larta dhe era e bënë të vështirë menaxhimin e tij. Zjarri është përhapur mbi kodër drejt zonës ekonomike të Podi-t. Autoritetet thanë se zjarri ndodhi nga makineritë gjatë punimeve ndërtimore./Alsat.mk

Të ngjajshme

Të fundit