25.9 C
Skopje
E enjte, 6 Gusht, 2026

“Heshtja e Ali Ahmetit është tradhti”, Val Zeka: Kam prova, së shpejti do të flas me fakte!

Një reagim i fortë dhe pa kompromis ka ardhur nga Val Zeka, njëri prej pjesëtarëve të njohur të Grupit të Kumanovës, drejtuar kreut të BDI-së, Ali Ahmeti. Në një deklaratë publike me tone të ashpra, Zeka akuzon liderin politik për “heshtje kriminale” dhe “tradhti ndaj popullit shqiptar”, gjatë dhe pas ngjarjeve tragjike të Lagjes së Trimave në maj të vitit 2015, informon POPULLI.mk

“Ali Ahmeti është borxhli para popullit shqiptar. Jo me fjalë, por me heshtjen e tij kriminale gjatë dhe pas Kumanovës. Kur ne u mbuluam nga plumbat, kur trupat e shokëve tanë mbetën në baltë e burgjet u mbushën me shqiptarë, ai nuk ishte askund – as në rrugë, as në media, as në shtet. Ai heshti. Dhe kjo heshtje është tradhti”, deklaroi Zeka.

Ai thekson se sakrifica e Grupit të Kumanovës nuk është krim, por rezultat i një “loje të pistë politike”, ku – sipas tij – disa liderë shqiptarë kanë bërë pazare për pushtet, duke shitur bashkëkombasit e tyre.

“Ne nuk jemi kriminelë. Jemi viktima të një skenari të ndyrë politik. Disa shqiptarë zgjodhën kolltuqet dhe postet, duke shitur djemtë e vet. Dhe ti, Ali Ahmeti, bashkë me Menduh Thaçin, jeni në zemër të kësaj tradhtie”, shton Zeka, duke i përfshirë në përgjegjësi edhe eksponentë të tjerë politikë të asaj kohe.

Val Zeka reagon gjithashtu ndaj deklaratave të fundit të Ahmetit mbi barazinë dhe drejtësinë, të cilat i quan “hipokrizi”.

“Drejtësinë nuk e bën me fjalë në konferenca shtypi, por me qëndrim në ditët kur populli yt digjet. Populli nuk do më deklarata boshe – do drejtësi.”

Në fund të deklaratës, Zeka paralajmëron se është në posedim të fakteve, dëshmive vizuale dhe dokumentare nga ngjarjet e 9-15 majit 2015 dhe se shumë shpejt do të bëhen publike.

“Mos harroni – ka ardhur dita. Kam në duar shumëçka: video, foto, incizime, dokumente… Së shpejti do të shihemi. Me të gjithë ju – njerëz të ligj dhe tradhtarë të fëlliqur. Nuk jua fal, nuk ju harroj asnjë sekondë.”

Deklarata vjen në një kohë kur debati për drejtësinë e munguar për ngjarjet e Kumanovës ka rifilluar, dhe kërkesat për një hetim të pavarur ndërkombëtar janë shtuar nga familjarët e të dënuarve dhe organizata të shoqërisë civile. / © POPULLI.mk