8.8 C
Skopje
E martë, 21 Prill, 2026

Tesla shpërblen Musk me 29 miliardë dollarë

Tesla ka miratuar një shpërblim në aksione me vlerë 29 miliardë dollarë për CEO-n e saj, Elon Musk, si pjesë e një marrëveshjeje të re kompensimi që synon ta mbajë miliarderin në krye të kompanisë të paktën deri në vitin 2027, në një periudhë kur kompania po përpiqet të zhvendoset nga automjetet elektrike, në një sektor më të vështirë, ajo e robotaksive dhe robotëve humanoidë, sipas agjencisë Reuters.

Kompania e cilësoi dhënien e 96 milionë aksioneve të reja për Musk si ‘hapin e parë, në shenjë mirëbesimi’ për të ruajtur në thelb paketën e kompensimit prej 50 miliardë dollarësh të miratuar në vitin 2018, e cila u anulua vitin e kaluar nga një gjykatë në Delaware.

Një plan i ri afatgjatë shpërblimi për CEO-n do të hidhet në votim në mbledhjen e përgjithshme të aksionarëve më 6 nëntor.

Gjykata e kishte rrëzuar paketën duke përmendur mangësi në procedurën e miratimit nga Bordi Drejtues si dhe trajtim të padrejtë ndaj aksionarëve.

Musk ka apeluar vendimin që prej marsit, duke argumentuar se gjyqtarja që e mori vendimin ka bërë disa gabime ligjore duke anuluar këtë marrëveshje historike kompensimi.

Tesla, kompania më e vlefshme e automobilave në botë, ndodhet në një moment kthese. Musk, i cili zotëron 13% të aksioneve, po e zhvendos fokusin e kompanisë drejt produkteve dhe shërbimeve që lidhen me inteligjencën artificiale dhe robotikën, ndërkohë që shitjet e makinave janë në rënie dhe aksionet e kompanisë kanë humbur vlerë.

Paketa e re synon të forcojë fuqinë e votës së Musk, diçka që ai vetë dhe disa aksionarë e kanë quajtur të domosdoshme për ta mbajtur të përqendruar në misionin e Teslës.

Këtë e theksoi komisioni i veçantë i kompanisë, i përbërë nga kryetarja Robin Denholm dhe drejtoresha e pavarur Kathleen Wilson-Thompson.

“Ne e dimë që aktivitetet dhe interesat e biznesit të Elon janë të shumta dhe të ndërlikuara. Por jemi të bindur se kjo paketë do ta motivojë atë të qëndrojë në Tesla,” thuhet në dokumentin zyrtar të dorëzuar të hënën.

Aksionet e reja do t’i kalojnë Musk-ut vetëm nëse ai qëndron në një rol ekzekutiv kyç deri në vitin 2027. Po ashtu, vlen një afat bllokimi pesëvjeçar për shitjen e tyre.

Nëse gjykatat e Delaware-it miratojnë përfundimisht paketën fillestare të vitit 2018, atëherë paketa e re do të anulohet ose do të zbritet për të shmangur ndonjë ‘kompensim të dyfishtë’, siç thuhet në dokumentin e dorëzuar në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë.

“Ky është thjesht një version i ri i një marrëveshjeje që një gjykatë e quajti të padrejtë,” komentoi Charles Elson, themelues i Qendrës për Qeverisjen Korporative në Universitetin e Delaware-it, i cili kishte depozituar edhe më parë dokumente ligjore kundër marrëveshjes së vitit 2018. “Kjo e bën vendimin e gjykatës së Delaware-it praktikisht pa kuptim.” Syri.net-Kathimerini

Të ngjajshme

Të fundit